Droga, policia hyn në Lazarat
GJIROKASTER/ PIRO NASE
Forcat e Policisë së Gjirokastrës, mësyjnë në Lazarat për të gjetur drogë. Aksioni i djeshëm, i cili u paralajmërua dy ditë më parë për kontrollin e çdo banese të Lazaratit, ka vënë në lëvizje të gjitha strukturat policore të Qarkut të Gjirokastrës, duke ndërmarrë kontrolle cep më cep në fshatin rebel.Operacioni në terren ka startuar në orën 10:00 të së shtunës, duke krehur çdo pëllëmbë toke në zonën e poshtme të fshatit. Rreth 25 forca policore, mes tyre grupet që kryejnë patrullim në territorin e Komunës Lazarat, të drejtuara nga kreu i Policisë së Gjirokastrës, Emri Vata, kanë nisur krehjen e çdo territori në hapësirat e banesave të Lazaratit. Kreu i Komunës së Lazaratit Dasho Aliko ka qenë përkrah kryepolicit Vata në aksionin e djeshëm, duke dhënë shembullin konkret të bashkëpunimit mes njësisë vendore dhe forcave të policisë. Gjatë ditës së djeshme janë ndërmarrë kontrolle në 350 banesa në “Lagjen e Re” dhe lagjen “Gjokaj”. Zëdhënësi i Policisë së Gjirokastrës Gentijan Mullai konfirmoi se nuk është shënuar asnjë incident mes banorëve dhe forcave policore, përkundrazi, këto të fundit sipas tij janë mirëpritur nga banorët ku i kanë lënë të kontrollojnë çdo hapësirë toke pranë banesave. Pas kontrolleve të ushtruara, forcat e policisë nuk kanë hasur asnjë bimë narkotike të kultivuar në parcela apo territore të vogla pranë shtëpive. Megjithatë gjurmët e mbjelljes apo përgatitjes së kultivimit, janë konstatuar në disa bahçe ku ishin hapur gropat, në vigjilje për kultivim me bimë narkotike. Kontrolli i djeshëm, do të pasohet nga të tjerë jo vetëm gjatë këtyre ditëve, por edhe në muajt në vazhdim, kohë që korrespondon me pjekjen e bimëve narkotike. Për këtë qëllim është hartuar një grafik inspektimi në terren, dy apo tri herë në javë, nga fillimi i verës e deri në muajin shtator. Aksioni ka përfunduar në orët e pasdites së të shtunës për t’u pasuar nga kontrolli i përgjithshëm ditën e hënë në zona të tjera të fshatit. “Operacioni i djeshëm është ndërmarrë në zbatim të detyrave të përcaktuara në Planin e Veprimit, të miratuar nga Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për marrjen e masave, për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, si dhe në zbatimin e planit të masave të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër”, ka bërë të ditur për gazetën “Panorama” zëdhënësi Mullai. Pak javë më parë, drejtori i Policisë së Shtetit, deklaroi nga Gjirokastra se nuk do të lejojë që një fshat apo zonë e caktuar, të pengojë në hapat e vendit me qëllim liberalizimin e vizave. Veprime të tilla konkrete do të kryhen në të gjitha zonat e njohura më parë për kultivim të bimëve narkotike.