E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qyteti i Adrianit

Gjirokastër - Ditë pas dite, gërmim pas gërmimi ravijëzohet profili i qytetit madhështor të krijuar prej perandorit Adrian e që njeh tri epoka të rëndësishme. Misioni i katërt arkeologjik italo-shqiptar po shkon drejt fundit dhe ka nxjerrë në dritë zbulime të rëndësishme. Ndër to është një objekt kulti, një kishë që mendohet të ketë shërbyer si episkopat.

Pas këtyre ekspeditave qyteti është shtrirë në sipërfaqe më të madhe, ndërsa mendohet se kufijtë janë shumë më të gjerë. E pikërisht për këtë arsye kërkohet edhe ndihma e komunës së Dropullit të Poshtëm, në territorin e së cilës ndodhet ky qytet antik, për të bërë të mundur që pronarët e kësaj pjese të lejojnë gërmime në një sipërfaqe më të madhe gjatë vitit të ardhshëm. Rol të rëndësishëm në këtë aspekt kanë luajtur studimet gjeologjike dhe gjeomorfologjike, të cilat kanë lehtësuar punën e arkeologëve. “Nëqoftëse para dy vitesh kishim vetëm teatrin, tani mund të themi se kemi një zonë të vërtetë arkeologjike, ku mund të shihen mirë gjurmët e mureve dhe gjithçka që ka të bëjë me sitin e zbuluar arkeologjik. Si elementë të veçantë mund të them se janë gjetur disa fragmente në qeramikë, në qelq, gjithashtu edhe pjesë të elementëve të ndryshëm arkitektonikë, por gjëja kryesore është që nxorëm një pjesë të mirë të zonës arkeologjike, të shtrirjes së qytetit të Adrianopolit. Por, ndërkohë, specialistë të universitetit të Kamerinos janë duke punuar me gjeoradar, që po zbulojnë shtrirjen e qytetit edhe aty ku nuk është gërmuar ende”, është shprehur Roberto Perna, drejtuesi i palës italiane, profesor në Universitetin e Maceratës.

Për arkeologun shqiptar Vladimir Qirjaqi ky është “një vit i jashtëzakonshëm suksesesh. Filluan të dalin kontributet e kolegëve tanë të universiteteve italiane në studimet gjeofizike e gjeomorfologjike. Duke na servirur hartat e studimeve të tyre nëntokësore tashmë arkeologët e kanë shumë të thjeshtë të bëjë gërmime. Imagjinoni një fushë të tërë, të pamenduar deri dy vjet më parë e ku tashmë shtrihet qytetit. Të tjera monumente të rëndësishme do të ketë, njëkohësisht vazhdojnë të dalin qartë dy shtresat e tjera mbi Adrianopol; pra kemi qytetin e shekullit të II pas Krishtit, kemi fazën e Justianopolit, që vazhdon me ndërtesa të rëndësishme dhe së fundi kemi zbuluar një objekt kulti, me siguri një kishë e rëndësishme, episkopat që ka nxjerrë suvatimin me afresk dhe elementë të rëndësishëm.”

Kanë mbetur edhe katër ditë nga mbyllja zyrtare e ekspeditës arkeologjike. Të gjithë janë duke përgatitur projekte për gërmime në këtë zonë, një nga sitet arkeologjike që përmban Lugina e Drinos, por që fatkeqësisht nuk njihen e nuk vizitohen shumë.

Megjithatë e gjithë trupa arkeologjike shprehet e kënaqur për rezultatet. Janë rreth 40 persona, arkeologë, gjeologë, studentë të universiteteve të Maceratës dhe “Eqrem Çabej” në Gjirokastër, ata që për gati një muaj vazhdojnë të punojnë.

Një vit i suksesshëm arkeologjik, pa llogaritur fondet e mjerueshme. Kështu është shprehur drejtorja e Institutit të Arkeologjisë, Shpresa Gjongecaj. Ditën e djeshme ajo ka qenë në Adrianopol dhe si domosdoshmëri të madhe për zhvillimin e turizmit kulturor ka ngritur infrastrukturën e munguar. Në një intervistë për “Shekullin”, Gjongecaj tregon për misionet që ka ndërmarrë Instituti Arkeologjik përgjatë këtij viti dhe rëndësinë që duhet të fitojë arkeologjia në nxitjen e turizmit.

Adrianopoli është një ndër sitet antike ku gërmimet kanë dhënë rezultate shumë të mira. A mund të thuhet e njëjta gjë edhe për site të tjera në Shqipëri?

Instituti i Arkeologjisë po organizon disa ekspedita në një territor të gjerë të Shqipërisë, duke filluar nga Adrianopoli, për të vijuar me qytetin e lashtë të Lezhës ku është duke u bashkëpunuar me ne edhe Instituti i Arkeologjisë së Berlinit. Gjithashtu, sot kanë filluar gërmimet në qytetin antik të Apolonisë, gërmime të cilat vazhdojnë prej vitesh. Në fillim të shtatorit fillojnë gërmimet në Finiq, në Antigone, në veri të Shqipërisë në qendrën prehistorike të Burimit si dhe në kalanë e Grazhdanit në Dibër. Pra të gjithë arkeologët janë të angazhuar me projekte në të gjithë territorin. Me arkeologët italianë kemi katër projekte të përbashkëta, njëri është Finiqi ku bashkëpunojmë me universitetin e Bolonjës, këtu në Adrianopol me Universitetin e Maceratës, po vijojnë gërmimet në amfiteatrin antik të Durrësit të cilat drejtohen nga Universiteti i Parmës. Gjithashtu janë edhe gërmimet shumë të rëndësishme të arkeologjisë nënujore që zhvillohen nga instituti ynë dhe universiteti i Foxhias. Gërmimet dhe projektet në të gjithë vendin janë kryesisht vazhdime, përveç qytetit antik të Amantias që mendojmë ta kemi si gërmim të ri, si rifillim për rëndësinë e madhe historike dhe arkeologjike që ky qytet paraqet. Para fillimit të gërmimeve në këtë qytet kemi ndërmarrë një survey, i cili po vazhdon, për të përcaktuar edhe njëherë zbulimet e mëparshme.

A mund të quhet ky një vit i suksesshëm arkeologjik?

Ky vërtet është një vit i mbarë përsa i përket arkeologjisë shqiptare, pasi arkeologët janë në terren dhe po punojnë. Po përsa i përket mbështetjes me fonde nuk është një vit i mbarë. Ne akoma nuk kemi marrë fondin tonë të caktuar për gërmime, megjithëse na kanë premtuar se do të çelet shumë shpejt. Përsa u përket rezultateve ato janë të mrekullueshme. Të gjitha gërmimet dhe projektet e përfunduara kanë dalë me rezultate të shkëlqyera në fushën e arkeologjisë, se qëllimi ynë nuk është vetëm të gërmojmë e të zbulojmë, por t’i kthejmë këto monumente në qendra të vizitueshme turistike, në mënyrë që arkeologjia të jetë burim i rëndëishëm i zhvillimit të turizmit. Shqetësimi ynë në këtë aspekt është infrastruktura. Të shkosh në qendrat arkeologjike apo në ato mrekulli siç i quajmë ne arkeologët duhet të kemi rrugë. Nuk mund të shkosh në Amantia, Antigone, Finiq etj. pa pasur rrugë dhe në këtë mënyrë këto mbeten zona të vizituara nga një pjesë e vogël, nga amatorë ose arkeologë. Do të kërkoja e do të doja që më shumë të mendohej për infrastrukturën, në mënyrë që këto qytete të kthehen në zona të vizitueshme nga të gjithë, pra të bëhen vërtet qendra të trashëgimisë kulturore.

A mendoni se duhet hartuar një strategji e veçantë për nxitjen e turizmit në sitet arkeologjike?

Natyrisht. Por që të fillojmë të bëjmë këtë strategji ne duhet të kemi infrastrukturën, duhet të bëjmë rrugët. Detyra jonë, e arkeologëve, është të gërmojmë, të zbulojmë dhe pastaj t’ua japim të tjerëve atë mrekulli që kanë këto zona. Nëse ne themi se duhet të zhvillojmë turizmin duhet të zhvillojmë arkeologjinë. Përse turistët që vijnë nga Korfuzi në Butrint të mos vijnë edhe këtu në Adrianopol ku është një teatër i mrekullueshëm që rrallë e gjen; përse të mos shkojnë në Amantia ku është një stadium unikal përsa i përket ndërtimit dhe planimetrisë që ka? Por, është e vështirë sepse rrugët mungojnë. Pra, në rast se ne ndërtojmë infrastrukturën i kemi dhënë hov zhvillimit të turizmit kulturor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›