E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thikë në zemër, përgjaket ditëlindja

 

KORÇE/ JORGJETA GJANÇI

Kthehet në tragjedi ditëlindja e një studenteje në Korçë. Pas sherrit në lokal për një vajzë, një i ri u qëllua për vdekje me thikë në zemër. Viktima është 25-vjeçari Elis Spaho nga Korça, ndërsa autori është 30-vjeçari Arjon Pepellashi, i cili u arrestua pasditen e djeshme. Ngjarja ndodhi dje rreth orës 01:00 në një lokal brenda Qendrës së Studentëve të Universitetit “Fan S. Noli”. Në ditëlindje mësohet se ishin viktima bashkë me vëllain e tij binjak, dy shokët e tij Leonard Ballço dhe Klodian Hoxha si dhe një vajzë, studente në vitin e dytë. Më shumë se një orë para ngjarjes, vëllai i Elis Spahos, por edhe një pjesë tjetër e studentëve janë larguar. Viktima ka mbetur në shoqërinë e vajzës dhe dy shokëve të tij, të cilët kanë vijuar të konsumojnë alkool. Rreth orës 01:00, ata janë konfliktuar me tre persona të tjerë, të cilët ndodheshin në tryezën përballë. Elisi akuzoi autorin se po i ngacmonte vajzën me të cilën ai shoqërohej. Kaq ka mjaftuar që situata të degjeneronte fillimisht me sharje e fyerje të rënda. Sherri mes dy grupeve vijoi edhe jashtë lokalit, në sheshin para godinave të studentëve. Në këtë moment vajza është larguar dhe ka hyrë në konvikt. Gjatë përleshjes, Pepellashi ka shkuar në lokal dhe ka marrë aty një thikë (shërbehej dhe si restorant) me të cilën ka goditur tri herë Elis Spahon. Ai është dërguar menjëherë në spitalin e qytetit, por plaga e marrë në zemër ka qenë fatale. Mësohet se edhe dy shokët e tij që u përfshinë në sherr, Ballço dhe Hoxha janë plagosur, por pa rrezik për jetën. Policia e Korçës shoqëroi pas ngjarjes 10 persona dëshmitarë. Rreth 15 orë pas krimit, blutë lokalizuan edhe vendndodhjen e autorit te disa të afërm të tij në një fshat të Korçës, ku ai u prangos pa rezistencë. Mësohet se viktima banonte në lagjen nr.18 të qytetit. Ai kishte një vëlla binjak dhe një motër, ndërsa e gjithë familja e tij jetonte vetëm me rrogën e babait të tyre. Në lidhje me ngjarjen e rëndë dje reagoi edhe Drejtori i Konvikteve Asim Dishnica. Sipas tij, lokali i Qytetit Studenti i është dhënë me qira për një vit subjektit privat A.M. Lokali qëndron i hapur çdo ditë deri në orën 22:00, ndërsa ditën e martë organizohen mbrëmje me muzikë live, që kalojnë orarin e zakonshëm. Sipas policisë është pyetur edhe vajza që ishte në tavolinë me viktimën. Ajo deklaroi se kur ndodhi vrasja ishte shtrirë në krevat dhe nuk dinte asgjë. Dyshohet se ngjarja ndodhi për motive xhelozie, e stimuluar edhe nga pijet alkoolike.

Peshkopi, vrau biznesmenin, në burg
“Arrest me burg pa afat” është masa që Gjykata e Dibrës dha dje për 58-vjeçarin Qemal Kaci, i akuzuar nga policia dhe prokuroria e Peshkopisë për vrasjen e biznesmenit Reshat Rustani të dielën që kaloi. Burime pranë policisë lokale të këtij qyteti pohuan se nën masa të rrepta sigurie, i akuzuari është transportuar nga godina e komisariatit të policisë për në gjykatë. Në seancën e zhvilluar ai nuk ka pasur avokat mbrojtës, ndërkohë as familjarët e tij dhe as ata të viktimës nuk kanë qenë të pranishëm.     h.p

VLORE
Autori i tragjedisë së Vlorës, Arjan Lulaj, i cili vrau me armë zjarri mbrëmjen e së hënës babain dhe shokun e tij, si dhe plagosi të ëmën dhe kushëririn, nuk e ka pranuar as dje akuzën. “Nuk i kam kryer unë vrasjet dhe plagosjet. Unë sapo erdha nga fshati u futa në shtëpi dhe fjeta gjumë, nuk di se çfarë ka ndodhur. Kështu mësohet se është shprehur në polici edhe dje 23-vjeçari. Ndërsa djali i dajës së tij, ka shpjeguar se Lulaj kishte qenë shumë i pirë në momentin kur kanë mbërritur në shtëpi. Në gjendje të dehur ai vrau 51- vjeçarin Musa Lulaj dhe 28-vjeçarin Bledar Xhaferraj. Të plagosur mbetën Sofie Lulaj dhe Jovan Lazaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›