E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, bllokohet numërimi i votave në komunën Shalë

SHKODER- Është bllokuar numërimi i votave për kryetarin e komunës Shalë. Bllokimi ka ndodhur në KZAZ 42 në Shkodër ku dhe kanë mbërritur materialet. Sipas NEWS24 shkak ka qenë largimi i sekretarit të komisionit, i cili ka marrë dhe vulën me vete.

Banorët e Shalës në qarkun e Shkodrës votuan dje për kryekomunarin e ri. Votimi eci normalish në të pesë qendrat e votimit ku u vendos nga KQZ-ja të rivotohej, për shkak se në 8 maj, materialet zgjedhore mbërritën me 6 orë vonesë në Shalë.

Emri i kryetarit të komunës do të dalë nga gara e përfaqësuesit të "Aleancës për Qytetarin" Dedë Tonaj dhe rivalit të tij Bal Vuksani nga koalicioni "Aleanca për të ardhmen". Gjatë procesit të votimit nuk është regjistruar ndonjë problem, qoftë për sa i përket mënyrës së votimit, qoftë edhe lidhur me ndonjë bllokim të mundshëm të procesit, siç ndodhi në një pjesë të madhe të rasteve gjatë votimit të 8 majit. Deputetë të të dy partive kryesore ishin dje prezentë gjatë gjithë ditës, për të ndjekur procesin.
(s.g/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›