Shkodër, dënohen 53 fermerë

Gjykata e Rrehtit Gjyqësor Shkodër
Ka shkuar në 53 numri i të deklaruarve fajtorë për kultivim të bimëve narkotike në Shkrel të Malësisë së Madhe. Pas dhënies së vendimit për 38 prej tyre, gjykata e shkallës së parë ka shpallur vendimin dhe për pjesën tjetër të të akuzuarve për kultivim të bimëve narkotike në bashkëpinim. Martin Pëllumbi, kryetari i shoqatws Fermerwt e Shkrelit është dënuar me 7 vjet burgim duke u deklaruar fajtor për dy akuza, kultivim të bimëve narkotike dhe organizim e drejtim. Ndërsa 52 personat e tjerë janë dënuar me nga 5 vjet për kultivim të bimë narkotike. Vendimi i shkurtuar i gjykatës së Shkodrës nuk jep ende argumentet dhe konkluzionet që çuan në shpalljen e fajësisë së 53 shtetasve nga fshatrat Bogë, Razëm dhe Shkrel të komunës së Shkrelit, megjithatw bazuar në ekspertizën e prokurorisë së Shkodrës, sasia e lëndës së dyshuar si kanabis sativa kishte nivel të THC-se më të larte se 0.1% që sipas legjislacionit shqiptar konsiderohet si drogë.
Burime nga gjykata pohojnë se pala e akuzuar nuk ka paraqitur si provë ndonjë ekspertizë të paanshme dhe private, megjithëse kanë pretenduar për një ekspertizë të tillë të kryer në Itali, nga ku pretendohet që lënda e sekuestruar në dhjetor të 2005 nga policia e shtetit në fshatin Shkrel ishte kerp industrial. Të dënuarit janë gjykuar në gjendje të lirë dhe mes tyre ka qenë edhe një grua .Dënimi për to është dhënë në mungesë dhe asnjë prej tyre nuk ka qenë i pranishëm në dhënien e vendimit.
* * *
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër ka shpallur fajtorë 38 persona nga fshati Shkrel i Malësisë së Madhe për veprën penale “të kultivimit dhe shitjes së narkotikeve”, “prodhim dhe shitje të farërave të narkotikeve” si dhe “mbajtje, prodhim të pajisjeve për kultivim dhe prodhim të narkotikeve”, duke i trajtuar jo si individ por si organizate kriminale.
Vendimi ende nuk është zbardhur megjithatë nga burime brenda gjykatës mësohet se sipas vendimit të shkallës së parë, 38 të pandehurit janë dënuar nga 5 deri në 15 vite burg, ndërkohë që mosha mesatare e tyre është mbi 60 vjeç.
Avokat, Mark Marku i cili ka mbrojtur disa nga këta të pandehur shprehet se ky gjyq pasi kaloi fazën e parë, shkoi në apel e më pas në Gjykatën e Lartë për tu rikthyer në shkallën e parë.
Ai shprehet se ky vendim i gjykatës së Shkodrës është një shkelje e hapur e marrëveshjeve dhe konventave ndërkombëtare ku Shqipëria është palë për sa i përket përcaktimit të nivelit të THC-se tek bima nëse ajo është apo bimë narkotike .
Sasia e lëndës së sekuestruar në vitin 2005, rreth 1 ton, e cila nëse ishte kërp industrial apo kanabis sativa u çua për ekspertizë jo vetëm në Tirane por dhe në Itali. Kjo e fundit arriti në konkluzionin që bëhej fjalë për një bimë me nivel të THC (Tetrahydrocannabinol) më të ulet se normat e BE-se për bimët narkotike, por me të lartë se ajo e kërpit industrial.
Avokat Marku e vlerëson vendimin e gjykatës së Shkodrës jo vetëm të papajtueshëm me normat ndërkombëtare por dhe si një mjet për të tërhequr vëmendjen nga trafiku i madh i drogës që bëhet nga vendi ynë, duke marrë si shembull pikërisht raste të tilla dhe duke viktimizuar të pafajshëm të cilët janë anëtarë të ligjshëm të Shoqatës së Fermerëve të Shkrelit dhe janë të licencuar për kultivimin e kërpit industrial deri në kohën kur u ndalua importimi i farës.
Kërpi industrial dhe fermerët e Shkrelit, që nga viti 2000 përballen me policinë dhe gjyqësorin dhe pse atëherë kishte një marrëveshje ligjore me Anglinë, e cila importonte farën e kërpit industrial.
Në statistikat e policisë apo ato që pas disa ditësh Berisha do të lexoj, 38 fermerët do të konsiderohen si pjesëtarë të organizatave kriminale në vend.
Në fund të vitit 2011. Gjykata e Krimeve të Rënda shpalli moskompetencë për gjykimin e 53 të pandehurve lidhur me bllokimin e një toni kërp në fshatin Shkrel në Shkodër.
Sipas akuzës nga analiza kimike rezulton se sasia e bllokuar nga policia ka përqindje THC mbi kufijtë e lejuar e për rrjedhim ajo është kanabis sativa. Përfundim i kundërt del nga analizat e mjekësisë ligjore. /Anila Dushi/