Thaçi: Do ishim më mirë në një shtet të vetëm

Hashim Thaçi
Kuvendi i Kosovës ka miratuar rezolutën e cila kundërshton dhe kërkon moslejimin e mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Kosovës. Rezoluta e propozuar nga PDK u miratua me 76 vota pro.
Shtrirja e zgjedhjet lokale të Serbisë në territorin e Kosovës cilësohet si shkelje e sovranitetit dhe cenim të marrëdhënieve ndërshtetërore.
Republika e Kosovës nuk do të lejojë asnjë shtet tjetër fqinj që të organizojë zgjedhje të çfarëdo lloji në territorin e Republikës së Kosovës. Ky është qëndrim unik i Qeverisës së Kosovës, institucioneve të Kosovës dhe gjithë qytetarëve dhe partive politike, është shprehur kryeministri Hashim Thaçi.
Ai ka shtuar se pretendimet territoriale të Serbisë ndaj Kosovës janë të papranueshme. Përndryshe, nëse vjen deri te hapja e çështjes së kufijve në Ballkan, atëherë shqiptarët, sipas Thaçit, më së miri do të jetonin të bashkuar në një shtet të vetëm.
Kryeministri Thaçi duke vlerësuar zërat e ndryshëm që paraqiten për ndonjë dialog për veriun e Mitrovicës, ka thënë se një dialog i tillë as nuk ka ekzistuar, as nuk ekziston, as nuk do të ndodh.
Edhe sa i përket pretendimeve për ndryshime të kufijve apo pretendimeve territoriale, e kam bërë të qartë në emër të Republikës së Kosovës, gjithë miqve ndërkombëtarë, mesazhin e institucioneve dhe qytetarëve te Kosovës, se me pretendimet e tilla për ndryshimin e kufijve, shqiptarët më së miri dhe më së lehti do të mund të jetojnë në një shtet të vetëm, u shpreh Thaçi. /F.S/