E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, djegia e mbeturinave nxjerr jashtë përdorimit 87 kazanë të qytetit

Djegia e mbeturinave urbane së bashku me kazanët ku hidhen është kthyer në një problem shqetësues për drejtuesit vendorë të Shkodrës dhe qytetarët shkodranë. Ndonëse bashkia ka reaguar duke paralajmëruar ndëshkime për ata qytetarë që djegin mbeturinat, fenomeni vazhdon. Ndërkaq, dje, është dashur ndërhyrja e zjarrfikëseve për të shuar zjarrin që persona të paidentifikuar i kishin vënë kazanëve të mbeturinave në afërsi të shkollës "Ali Laçej", në lagjen Perash. Përveç dëmtimit të kazanëve, blerë vetëm pak muaj më parë me paratë e taksapaguesve shqiptarë, flakët kanë rrezikuar automjetet e parkuara në anë të rrugës, si dhe linjat elektrike e kabllot përcjellëse. Kanë qenë zjarrfikëset që kanë bërë izolimin e zjarrit dhe shuarjen e tij, ndërsa kazanët kanë dalë jashtë funksionit. Shefi i repartit të zjarrfikëseve Ilir Kopliku, u ka bërë apel qytetarëve, duke lajmëruar edhe ndëshkime. Këtë shqetësim e ka bërë publik dhe kryebashkiaku i Shkodrës, Lorenc Luka, i cili para dy muajsh pati deklaruar se numërohen 87 kazanë mbeturinash të djegur nga individë të papërgjegjshëm në qytetin e Shkodrës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›