E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, dështon ankandi për shitjen 963 makinave

Mjetet e bllokuara nga policia, së bashku me një anije, do të shiten për skrap. Blerësit: Kanë çmime shumë të larta

VLORË- Ka dështuar dje ankandi publik i automjeteve të sekuestruara nga policia pasi subjektet nuk janë paraqitur. Sipas subjekteve te interesuara për këto automjete të klasifikuara për skrap, arsyeja e këtij bojkotimi ka qenë çmimi i automjeteve i cili ishte i lartë në krahasim me atë të tregut. Çmimi 25 lek për kilogram pa t.v.sh dhe 30 lek për kg me t.v.sh ishte çmimi që ka bërë që 12 subjektet e interesuara të tërhiqnin dokumentet prej drejtorisë së rezervave të materialeve të shtetit. Një prej përfaqësuesve të një subjekti pohon se është tërhequr vetëm nga ulja e çmimit të tregut, duke qenë se këtu vazhdohet të mbahen çmimet e vjetra, duke mos marrë parasysh ndryshimet e tregut. Në ankandin që ishte i hapur deri në orën 11.00 shiteshin për skrap 898 automjete nga qarku i Vlorës dhe 65 të tilla nga qarku i Gjirokastrës dhe bashkë me to dhe një anije. Vlera totale e ankandit parashikohej të ishte rreth 40 milionë lekë me t.v.sh dhe rreth 33 milionë pa t.v.sh. Drejtori i rezervave të materialeve të shtetit, Bujar Karcanaj, shprehet se janë të paqarta motivet se përse nuk është paraqitur ende asnjë subjekt ndërkohë që kërkesa ka pasur. Përfaqësues të disa subjekteve kanë qëndruar rreth një orë para ambienteve të drejtorisë në fjalë me qëllim arritjen e ndonjë marrëveshjeje me drejtuesit, të cilët nuk u lëkundën për të ulur çmimin e automjeteve. Ankandi pritet të ripërsëritet pas 30 ditëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›