E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, gjykata lë në burg 19 vjeçarin që vrau nënën

Arrest në burg ka vendosur dje si masë sigurie gjykata e shkallës së parë në Shkodër për 19- vjeçarin Ylber Tahiri, i ndaluar nga policia me akuzën e vrasjes së nënës së tij Lumnijes. Trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Hasan Selimi pasi ka dëgjuar provat e paraqitura nga organi i akuzës i përfaqësuar nga prokurorja Edlira Cufi, e cilësoi të ligjshëm ndalimin e bërë nga policia për 19- vjeçarin, që më 22 mars të këtij viti vrau brenda në banesë nënën e tij 37- vjeçare. Dhe pas kësaj, bashkë me familjarët e tjerë e fshehu krimin duke e varrosur nënën dhe paraqitur vdekjen e saj si vdekje natyrale.
Sipas akuzës, vetëm në përfundim të hetimeve do të përcaktohet vepra penale si vrasje nga pakujdesia apo vrasje me dashje, pasi duhen pritur rezultatet e ekspertizave përkatëse. Prokuroria e Shkodrës ka bërë gjithashtu kërkesë për zhvarrosjen e kufomës me qëllim ekspertimin mjeko- ligjor. Mbrojtja ka kërkuar që gjykata të caktoj për 19 vjeçarin si masë sigurie atë të arrestit në shtëpi dhe këtë e ka motivuar me deklarimet e të pandehurit, familjarëve dhe rrethanave të ngjarjes, që sipas saj janë bindëse se vrasja ka qenë nga pakujdesia. Arma sipas mbrojtjes është shkrepur aksidentalisht nga djali teksa ky po e pastronte dhe ka goditur nënën e tij që ndodhej në dhomë. Gjithashtu mbrojta ka theksuar se Ylber Tahiri që nga dita e ngjarjes është në kushtet e tronditjes psikike dhe nuk ka qenë asnjëherë i dënuar dhe ai nuk përbën rrezikshmëri. Por gjykata ka vendosur arrest me burg.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›