Topi- Uizner: Zgjedhjet, gur prove për integrimin në BE
Diplomati amerikan, Frenk Uizner kërkon që Shqipëria të realizojë me sukses zgjedhjet e 28 qershorit, pasi kjo do të jetë gur prove për konsolidimin e demokracisë dhe integrimin e vendit. Gjatë një takimi në Pallatin e Brigadave me presidentin Bamir Topi, Uizner uroi Shqipërinë për anëtarësimin në NATO e po ashtu kërkoi edhe arritjen e standardeve të tjera. Ish-i ngarkuari i posaçëm i Departamentit të Shtetit të SHBA-së për Kosovën vlerësoi reformën në drejtësi, atë zgjedhore, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe konsolidimin e shtetit të së drejtës.
Nga ana e tij, presidenti Topi ritheksoi vullnetin dhe angazhimin e Shqipërisë për kryerjen e mëtejshme të reformave të nevojshme për integrimin euroatlantik dhe rritjen e kontributit të saj në të gjithë rajonin e më gjerë. Kryetari i shtetit vuri në dukje se tashmë që u krye dhe anëtarësimi i plotë i Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA-së, të cilat konsiderohen me rëndësi parësore, do të forcohen më tej dhe do të kenë dimensionin e partneritetit ku vendi ynë do të vazhdojë të sillet si një aleat tepër besnik. Dy bashkëbiseduesit diskutuan edhe për krizën financiare botërore dhe efektet që mund të ketë ajo për vendet e rajonit tonë dhe ndanë të njëjtën pikëpamje se e ardhmja e të gjitha vendeve ballkanike pa përjashtim është e projektuar drejt integrimit në gjirin e strukturave euro-atlantike dhe në familjen e madhe evropiane.