E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, irritohen grevistët e "9 Janarit", kërkojnë rihetim nga Krimet e Rënda

Të irrituar për vendimin e rihapjes së dosjes së tragjedisë së 9 Janarit, nga Prokuroria e Vlorës dhe jo nga ajo e Krimeve të Rënda, grevistët kanë vendosur të mbyllin derën dhe të ndërpresin çdo komunikim me botën jashtë saj. Këtë fakt e ka bërë me dije edhe kreu i shoqatës 9 janari, Nikoll Mhilli, i cili ka thënë se "tashmë edhe mua nuk më lejojnë të komunikoj". Grevistët kanë thënë fjalën e tyre në media për të fundit herë dhe Ndoc Bjeshka ka deklaruar: "Mbetemi në kërkesën e gjetjes së mbetjeve të fëmijëve tonë të cilat janë fshehur nga strukturat e shtetit të asaj kohe dhe kushti ka qenë kalimi i çështjes në Krimet e Rënda. Sot ne bëjmë komunikimin e fundit me median dhe policinë, shëndetësinë dhe me çdo lloj personi, duke mbyllur derën". Kurse Mark Grizhaj thotë se tashmë jam i bindur se djali dhe nusja e tij janë të fshehur në Karaburun dhe ka ndodhur se përsëri kanë lënë hetimin në dorën e atyre që i fshehën. Grevistët janë të irrituar dhe nuk pranojnë që hetimet të hapen në Prokurorinë e Vlorës, sepse që në fillim ato kanë kërkuar që këto hetime të kalojnë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Nikoll Mhilli i ka bërë apel Prokurores së Përgjithshme Ina Rama se ajo sipas tij e ka bllokuar këtë hetim dhe që tani sa më shpejt ti rikthejë hetimet në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe të mos i lërë të vdesin dy baballarët e atyre viktimave që tashmë janë në grevën e urisë. Kjo ka qenë masa ekstreme e grevistëve të urisë të shoqatës 9 Janari të cilët kërkojnë me çdo kusht hapjen e hetimeve kësaj radhe në Tiranë, dhe për të detyruar drejtësinë të gjejë se ku janë çuar trupat e fëmijëve të tyre, por edhe të zbardhin krimin e asaj nate ku vdiqën 28 shqiptarë, vetëm pak milje nga Karaburuni.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›