Gjirokastër, policia terrorizon familjen, në kërkim të një arme
Policia e Gjirokastrës terrorizon një familje në lagjen Zinxhira. Justifikimi për ekzistencën e një arme në familjen e Riza Bixhakut, ka bërë që kontrolli i forcave policore të shoqërohej me keqtrajtim edhe të anëtarëve të familjes. Nga ana e tij, kryefamiljari Bixhaku ka dënuar veprimin e policëve, të cilët hynë në banesën e tij pa kurrfarë leje dhe mandat kontrolli nga ana e organit të akuzës. Shkak i kësaj ndërhyrjeje brutale të policisë në orën 05:00 të së mërkurës, është bërë krisma e një arme zjarri në ajër, mbrëmjen e të martës.
Protesta e një pjese të banorëve në lagjen Zinxhira për heqjen e një antene për përcjelljen e valëve të telefonisë celulare, është marrë në konsideratë nga ana e Bashkisë së Gjirokastrës. Kjo e fundit, ndonëse nuk kishte aprovuar lejen për vendosjen e kësaj antene në zonën e populluar dhe nisur dhe nga ankesat e bëra, përmes policisë bashkiake hoqi lidhjen e korrentit të saj si dhe çmontimin para disa ditësh. Ndërkohë që banorët e zonës, pasi kanë vërejtur se mjediset ku ndodhet antena e telefonisë së lëvizshme janë vënë në funksion nga ana e pronarëve, të irrituar kanë protestuar mbrëmjen e së martës. Por menjëherë pas protestës u dëgjuan krisma, të cilat me sa duket ishin si kundërpërgjigje në mungesë të një reagimi nga ana e strukturave shtetërore dhe sidomos të policisë. Banorët kanë falenderuar kreun e Bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Bime për iniciativën që antena të mos të funksionojë, por njëkohësisht kanë qenë kundër indiferencës së treguar nga ana e organeve të tjera shtetërore. Dhe u desh që në orët e para të ditës së djeshme, banesa e Riza Bixhakut të binte pre e bastisjes shtazarake nga ana e forcave policore. Sipas vetë kryefamiljarit Bixhaku, në orën 05:00 të mëngjesit, forca të shumta të policisë së Gjirokastrës rrethuan banesën ku ndodheshin vetëm bashkëshortja dhe fëmijët e tij, pasi vetë ai kishte shkuar për punë në lokalin e vet. Riza Bixhaku shprehet për gazetën SOT se policët gjatë kontrollit keqtrajtuan dy fëmijët që flinin dhe pasi nuk kanë lënë skutë të shtëpisë, kanë mbajtur një procesverbal dhe janë larguar. Sipas Rizait, kontrolli i policisë është lidhur me reagimin e familjes së tij dhe dhjetëra familjeve të tjera ndaj instalimit të antenës së telefonisë celulare afër banesave ku jetojnë gjë që shkakton dëmtime serioze me shëndetin. Edhe më kompromentues e bën veprimin e policisë thirrjet gjatë kontrollit të disa oficerëve që u janë drejtuar familjarëve se sa kohë që do të votojnë Partinë Socialiste dhe kreun e Bashkisë së Gjirokastrës Flamur Bime, do të kenë të tilla pasoja bile edhe më të rënda. Kjo sipas kryefamiljarit Riza Bixhaku, është forma më e ulët e hakmarrjeve politike. Ndërkaq nga ana e vet Komisariati i Policisë së Gjirokastrës nuk është shprehur për këtë incident.
Last Updated on Wednesday, 18 March 2009 23:01
Last Updated on Wednesday, 18 March 2009 23:01