E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkodër, kriza prek biznesin. 600 punonjës të pushuar

Ashtu sikurse edhe në qytete të tjera, biznesi në Shkodër po përjeton efektet e krizës. Shifrat zyrtare flasin për rreth 600 punonjës të pushuar nga puna si pasojë e falimentimit të plotë ose të pjesshëm të firmave. 

SHKODËR- Kriza ekonomike po prek bizneset e Shkodrës, ndërsa më të rrezikuar janë familjet që mbahen falë punësimit në shumë kompani apo firma private. Fasonistët janë të parët që deri më tani kanë përjetuar efektet e krizës, për këtë flet edhe falimentimi i shumë bizneseve të tilla, për pasojë 600 vetë zyrtarisht kanë humbur punën. Ndërsa përfaqësues të biznesit apelojnë ndaj qeverisë për të ndërhyrë.

“Situata vështirësohet edhe më shumë kur bëhet fjalë për çmimet dhe frika që i ka zënë punonjësit tanë se mund të shkurtohen vendet e punës. Kjo tregon më së miri se kriza ka përfshi dhe po bëhet një problem jo më i dy tre bizneseve por i të gjithë ekonomisë shqiptare. Ndaj kërkojmë të investohet më shumë në ekonominë reale dhe ndaj fabrika që kërkojnë të modernizojnë pajisjet dhe të rrisin kapacitetin e tyre”- u shpreh përfaqësuesja e komunitetit të biznesit për qytetin e Shkodrës.

Përfaqësuesja e komunitetit të biznesit për qytetin e Shkodrës tha se për ti paraprirë këtyre pasojave është e domosdoshme se përpara se të hartohen ligje strukturat qeveritare duhet të konsultohen me biznesin.

(a.r/news24/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›