E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, “tkurret” në 7 200 ha toka e përmbytur

SHKODËR- Situata e përmbytjeve në zonën e Nënshkodrës vazhdon të shënojë përmirësime të ndjeshme. Të dhënat zyrtare që ofron Shtabi i Emergjencës Civile pranë prefekturës së Shkodrës, bëjnë të ditur se harta e sipërfaqes së përmbytur është tkurrur edhe më tepër, duke rënë në shifrat e 7200 ha.
Megjithatë, uji vazhdon të jetë prezent në shumë fshatra, sidomos ato të komunave Dajç, Velipojë, Ana e Malit dhe Bushat, duke lënë të bllokuara edhe një numër të madh banesash.

Reshjet e dendura të shiut të rëna gjatë ditës së premte, nuk favorizuan përmirësimin e situatës në këto zona, madje në disa prej tyre pati edhe rritje të nivelit të ujit deri në 15 centimetra.

Ndërkohë, e shtuna pa reshje, ndikoi në rikthimin e normalitetit dhe vijueshmërinë e rënies së sipërfaqes së tokës së përmbytur.

Përmirësime të dukshme janë konstatuar edhe në komunat më problematike, atë të Dajçit dhe Velipojës, ku tashmë komunikimi i tyre me qytetin e Shkodrës bëhet edhe nga toka. Aksi rrugor qëndra e komunës Dajç-Shkodër funksionon vetem për mjetet e larta.
Gjatë ditës së djeshme, strukturat e shtabit të emergjencës civile kanë punuar për riparimin e argjinaturave të dëmtuara nga niveli i lartë i ujit të ditëve të mëparshme. Me tërheqjen e pjesshme të ujit, specialistët arritën të mbyllin pjesën e dëmtuar të argjinaturës së fshatit Samrisht në një distancë rreth 500 metra, ndërkohë që po punojnë për përforcimin e argjinaturës të fshatit Shirq.

Ndërsa, komuna e Velipojës, e cila ka të bllokuar aksin rrugor kryesor Shkodër-Ura Gjo Lulit-Velipojë, në sajë të vënies në shfrytëzim nga strukturat e emergjencës civile të aksit rrugor Bendi i Torovicës-Velipojë, ka mundur të komunikojë normalisht me qytetin, madje me të gjitha llojet e mjeteve. Pozitive është konsideruar në këtë zonë edhe zhvillimi i ndeshjes së futbollit për kategorinë e parë Ada-Burreli në stadiumin "Adriatik" të Velipojës, ku fitorja e vendasve, ka krijuar një klimë entuziaste tek komuniteti velipojak i pranishëm.

Të izoluar nga uji vazhdojnë të jenë edhe fshati Obot në komunën Ana e Malit, si dhe ai Mali Jushit në komunën Bushat, ndërkohë që dy komunat e tjera të Nënshkodrës, Bërdica dhe sidomos Guri i Zi, me përjashtime të vogla, thuajse janë rikthyer në një normalitet të plotë.

Territori i bashkisë së Shkodrës, me përjashtim të lagjes së Livadheve, e cila vazhdon të jetë nën prezencën e ujit, është pastruar tërësisht nga prania e ujit, ndërkohë që edhe të gjitha akset rrugore janë të kalueshme pa asnjë problem me të gjitha llojet e automjeteve.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›