Shkodër, miratohet buxheti i 2012-s

Bashkia Shkodër
Është miratuar vetëm me votat e mazhorancës buxheti i Bashkisë së Shkodrës për vitin 2012. Diskutimet kanë vazhduar për katër orë por ato nuk kanë qenë të fokusuara në probleme e detaje të projektit të paraqitur nga bashkia por janë përqendruar më së shumti në replika mes palëve.
Këshilltarët e PS-së kanë deklaruar se ky është një buxhet fantazmë pasi nuk janë realizuar të ardhurat ndërsa kanë premtuar se brenda 10 ditëve do sjellin shtesa me qëllim përmirësimin e tij. Por këshilltarët e PD dhe aleatëve të tyre nuk kanë patur nevojë për votën e këshilltarëve socialistë dhe pasi u kërkuan shpjegime për disa zëra të veçantë, buxheti është miratuar ndërsa socialistët kanë lënë sallën.
Në buxhetin e vitit 2012 të njësisë më të madhe të qeverisjes vendore në qarkun e Shkodrës, atë të bashkisë Shkodër janë parashikuar rreth 7 milionë dollarë të ardhura, pa grandin e qeverisë apo donacione e projekte që financohen nga të tjerë. /Anila Dushi/