Shkodër, nën ujë edhe 5234 ha tokë dhe 593 shtëpi
Nga të dhënat e transmetuara sot nga Ministria e Brendshme, njoftohet se 5234 hektarë tokë vazhdon të jetë nën ujë.Sipas këtyre burimeve, 593 shtëpi janë ende të përmbytura, ndërsa 450 të tjera janë të rrethuara nga uji. Në disa zona ku uji është larguar banorët janë kthyer në shtëpitë e tyre. Ndërkohë kanë mbetur ende në evakuim 1795 persona. “Të gjitha akset rrugore drejt komunave dhe fshatrave të prekura nga përmbytja janë të kalueshme nga të gjitha llojet e automjeteve. Përjashtim bën aksi rrugor drejt fshatit Obot në Komunën Ana e Malit si dhe aksi rrugor drejt Velipojës tek Ura e Gjo Lulit, e cila kalohet vetëm me mjete të rënda”, thuhet në deklaratën e ministrisë. Vlen të theksohet se në të gjithë zonën e prekura nga përmbytja nuk ka rritje të personave të prekur nga sëmundje. Shërbimi shëndetësor ofrohet në të gjitha qendrat shëndetësore. Ndërkohë po kryhet monitorim intensiv i situatës nga Drejtoria Rajonale e Shëndetësisë dhe nga ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik. Posaçërisht për ujin e pijshëm-njofton MBja- janë 22 pika të kontrollit të cilësisë. Vijon gjithashtu edhe dezinfektimi i sistemit të ujësjellës kanalizimeve. Në bazë të detyrave të përcaktuara nga Komiteti Ndërministror i Emergjencës Civile sot vijojnë operacionet për shpërndarjen e ndihmave, kujdesin ndaj banorëve të evakuuar dhe puna për përforcimin e argjinaturave. Shpërndarje e këtyre ndihmave realizohet sipas kërkesave dhe nevojave të paraqitura nga kryetarët e njësive vendore.