E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, nis me defekte procesi i vonuar kartave të identitetit

Të shpejtuar për të kapur afatet, punonjësit e caktuar dhe trajnuar të procesit të pajisjes me karta identiteti janë gjendur ngushtë dje në ditën e inaugurimit të fillimit të këtij procesi, përpara defektit teknik dhe grumbullit të qytetarëve që ishin mbledhur për të aplikuar. Në fakt shpejtësia për të filluar, i ka bërë punonjësit dhe vendorët e Shkodrës të mbeten keq përpara radhës së qytetarëve që pritnin të mbaronin punë. Që në fillim janë shfaqur disa probleme në sistemin kompjuterik dhe këtyre iu është shtuar edhe back aut-i i energjisë që i ka vënë kapakun historisë dhe në këtë mënyrë qytetarët nuk kanë mundur pa u shprehur përpara mediave që ishin të pranishme në ditën kur do të inagurohej një proces i tillë në Shkodër. Për të justifikuar disi jo fajin e tij, nënkryetari i bashkisë, Ridvan Troshani ka deklaruar se dita e sotme, megjithëse ka filluar procesi, ishte thjeshtë një testim. "Ne për të mos i lënë qytetarët deri të hënën të prisnin, thamë që të nisnim sot testimin dhe të konkretizonim procesin, ka thënë Troshani duke u munduar të justifikojë edhe fiaskon e radhës, për shkak të moskujdesit të treguar nga specialistët e teknikës dhe infrastrukturës elektronike. "Ne besojmë se përpjekjet e bashkuara të të gjithë aktorëve që u munduan të fillojnë këtë proces kaq të rëndësishëm, do të kurorëzohen me sukses", ka shtuar Troshani. Por qytetarët janë detyruar të presin për orë të tëra me radhë për fillimin e aplikimit duke kaluar në gjendje nervozizmi. "Një herë u fikën dritat dhe tani thonë se nuk punojnë kompjuterat. Në orën 9 thanë se çdo gjë është në rregull, kurse tani nuk e marrim vesh në se nuk dinë të punojnë apo se ku është faji këtë e di bashkia, u shprehën qytetarët, të cilët kanë hedhur dhe hipotezën e vënies së një gjeneratori për të siguruar energji 24 orë dhe një proces të rregullt e pa komplikacione. Në këtë mënyrë, u vu re se u thye edhe premtimi i tretë për nisjen e procesit të pajisjes me kartë identiteti për qytetarët e Shkodrës.

Email This Klikime: 1

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›