E Diel, 1 Nëntor 2026

Nishani: Kemi vënë para drejtësisë politikanët

Qeveria i ka hapur rrugë hetimeve për të gjithë zyrtarët e saj
Qeveria shqiptare ka treguar vullnet të plotë në luftën kundër korrupsionit dhe nuk i ka ofruar mbështetje personave politikanë nën hetim. Këtë deklaratë e ka bërë ministri i Brendshëm, Bujar Nishani në takimin e zhvilluar nga grupi parlamentar kundër korrupsionit me kryetarin e Organizatës Botërore të Parlamentarëve Kundër Korrupsionit (GOPAC), John Williams. Qeveria shqiptare ka marrë masa emergjente për të ndaluar korrupsionin, për të ndërtuar një marrëdhënie të re mes qeverisë dhe qytetarëve, një marrëdhënie e cila në themel ka pasur seriozitetin tonë për të luftuar korrupsionin, vlerësoi ministri Nishani në takimin, ku ishin pjesëmarrës edhe anëtarët e njësisë parlamentare. Ministri i Brendshëm e ka bërë këtë deklaratë duke iu referuar raportit të Transparency International, i cili e grupon vendin tonë në 10 vendet me sukses më të madh për vitin 2008 në luftën kundër korrupsionit si dhe në vendin e parë në rajon. TI shpall se në garën botërore të 180 vendeve të botës në luftën kundër korrupsionit, Shqipëria parakaloi 20 vende gjatë vitit që kaloi, duke u zhvendosur nga vendi i 105 që zinte në vitin 2007 në vendin e 85, në një pozicion të njëjtë me Serbinë, Malin e Zi, dhe duke lënë prapa në rajon, Bosnje Hercegovinën,  Moldavinë, tha z. Nishani. Ndër të tjera, ministri Nishani ka theksuar se qeveria shqiptare nuk i ka ofruar mbështetje politikanëve nën hetim dhe sipas tij qeveria është e gatshme ti nënshtrohet të gjitha hetimeve të Inspektoriatit të Lartë të Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive. "Në veçanti për zyrtarët me status politik nuk është ofruar mbrojtje politike e të dyshuarve, dhe i është hapur rrugë procesit hetimor. Ekipet qeverisëse janë çliruar nga konfliktet e interesave. Krahas amendimit të ligjit për parandalimin e këtyre konflikteve në pikat e tij të dobëta, ai është zbatuar plotësisht për të mbyllur çdo shteg të mundësive të shfrytëzimit të pozitës në favor personal nga ana e zyrtarëve. Qeveria ka mbështetur me të gjitha mjetet e nevojshme veprimtarinë e Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Verifikimit të Pasurive, ka vijuar Nishani. Sipas ministrit të brendshëm, rezultati i përpjekjeve anti-korrupsion ka shtuar të ardhurat në buxhetin e shtetit me 1.2 miliardë dollarë, edhe pas uljeve të taksave nga qeveria. Kjo qeveri ka shkurtuar deri në 120 milionë euro shpenzimet operative, ka reduktuar deri në 20% koston e prokurimeve publike dhe ka siguruar një bashkëpunim të gjerë të qytetarëve të saj për denoncimin e korrupsionit, informoi ministri Nishani. Nishani foli dhe për amendimin e ligjit të konfliktit të interesit, miratimin e ligjit të Policisë së Shtetit, ligjin e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, ligjin e prokurimeve publike, atë të koncesioneve dhe ligje të tjera të rëndësishme. Sipas tij, e rëndësishme ka qenë dhe hartimi i strategjive në ndihmë të luftës kundër korrupsionit, ku vetëm ministria e Brendshme ka hartuar strategjinë e Policisë së Shtetit 2007-2013, strategjinë Kombëtare të Menaxhimit të Integruar të Kufirit, strategjinë  Kombëtare Antidrogë, atë Ndërsektoriale të Luftës kundër Krimit të Organizuar, Trafiqeve dhe Terrorizmit, strategjinë Kombëtare të Luftës kundër trafikimit të qenieve njerëzore. Nga ana e tij ministri i Brendshëm deklaroi se lufta kundër korrupsionit ka filluar që në radhët e policëve të thjeshtë. "Në vitin 2008 ka pasur 75 kallëzime penale për vepra korruptive për 101 subjekte policore, dy prej të cilëve kanë qenë oficerë të rangut të lartë, 44 të rolit të mesëm dhe 55 të rolit bazë, nga të cilët 29 të arrestuar", vijoi Nishani.

Email This Klikime: 6

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›