Shendetësi
Ushqimi, i rëndësishëm për shtatzëninë
Të gjitha ato gra që duan të mbeten shtatzëna, duhet t’i kushtojnë një vëmendje të jashtëzakonshme të ushqyerit adekuat, shëndetit në përgjithësi, si dhe aktivitetit fizik. Në këtë drejtim mund t’ju ndihmojë edhe biseda me mjekun, i cili ua jep të gjitha këshillat dhe udhëzimet e nevojshme. Pasi që të keni mbetur shtatzënë, kujdesi duhet të rritet edhe më shumë. Duhet që të përpiqeni që menyja juaj të jetë sa më e pasur me thartirë folike, të cilën e merrni me ushqime në formë të flluskave (kornfleks) të drithërave, me fasule dhe bizele.
Kjo thartirë ndihmon në mbrojtjen e fëmijës që keni në bark nga komplikimet e mundshme të trurit dhe boshtit të kurrizit. Gjinekologu me gjasë do t’ju përshkruajë edhe tableta të kësaj thartire.
A duhet të hani peshq?
Shumë shtatzëna janë në dilemë, të hanë apo të mos hanë peshq gjatë shtatzënësisë.
Dihet se disa peshq përmbajnë sasi të konsiderueshme të zhivës, e cila mund ta dëmtojë sistemin nervor të fëmijës, duke shkaktuar më vonë probleme me mësim. Por, nuk duhet lënë pas sysh as të dhënën që peshqit janë burim i pasur i thartirave yndyrore omega-3, të cilat janë mjaft të dobishme për beben dhe për ju.
Prandaj, nëse ende nuk dini a të hani peshq apo jo, ju këshillojmë që të hani, por duke evituar peshqit që kanë sasi të madhe të zhivës, sikur që janë salmoni, toni i konservuar etj.
Dhëmbët, treguesit e shëndetit trupor
Duke i kushtuar vëmendje higjienës së gojës, para së gjithash të dhëmbëve dhe mishit të dhëmbëve, ju jo vetëm që do të keni një buzëqeshje të bukur, por edhe një shëndet të përgjithshëm shumë më të mirë. Në fakt, trupi i shëndoshë dhe dhëmbët e shëndoshë nuk shkojnë pa njëri-tjetrin. Kurrë nuk është vonë që të filloni t’i mësoni fëmijët sesa e rëndësishme është higjiena e dhëmbëve dhe e gojës në përgjithësi.
Higjiena e gojës rritë vetëbesimin
Dhëmbët e prishur dhe mishi i sëmurë i dhëmbëve, përpos që paraqesin problem shëndetësor, janë edhe një siklet i madh estetik, që ndikojnë në uljen e vetëbesimit. Me siguri se kur ke erë të keqe nga goja, të tjerët do të ikin nga ti dhe, në këtë mënyrë, do të ndihesh i izoluar dhe i lënë anash.
Higjiena orale – efikase kundër sëmundjeve të zemrës
Mendohet se inflamacionet kronike, të shkaktuara nga inflamacioni i mishit të dhëmbëve, mund të çojnë deri te sëmundjet kardiovaskulare, ku përfshihen edhe sëmundjet e zemrës, të rrezikshme për jetë.
Higjiena e gojës për një memorie të mirë
Të rriturit që kanë mish të inflamuar të dhëmbëve, ku shfaqet edhe gjakderdhja, sipas studimeve, kanë edhe një memorie më të keqe, gjë që është parë në testet e ndryshme të memories. Pra, furçën në dorë dhe lani dhëmbët pas çdo ngrënie.
Celuliti, si ta zhdukim
Celuliti jo detyrimisht është i lidhur me peshën e tepërt trupore. Në paraqitjen e tij, para së gjithash, ndikojnë hormonet seksuale femërore, posaçërisht gjatë periudhës së pubertetit, shtatzënisë dhe paramenopauzës. Me ushqimin e duhur, që mundëson largimin e materieve të dëmshme, mund të arrihet shumë në zbutjen e celulitit. Shkaktari kryesor i celulitit është çrregullimi i mikro-qarkullimit i indeve nën lëkurë. Dëmtimi i fibrave lidhëse të qelizave të enëve të imëta të gjakut, shkakton lëshueshmërinë e tyre të rritur dhe kalimin e lëngjeve në hapësirën mes qelizave. Për këtë arsye, materiet e nevojshme ushqyese nuk vijnë në qeliza, ndërsa ato të dëmshmet grumbullohen.
1. Jodi - nxit këmbimin e materieve dhe shpejton djegien e dhjamit. E rëndësishme: shumë persona vuajnë nga mungesa e jodit, ndiejnë lodhje dhe trashen. Nëse ndiheni ashtu, kontrollojeni nivelin e jodit në gjak.
2. Hekuri - me rastin e djegies së yndyrës, u jep qelizave oksigjenin e nevojshëm. Hekuri është në sasi të madhe në lakër, domate, peshk dhe fruta të detit.
3. Magnezi - minerali i cili jep energji. Gjendet në sallatën e gjelbër, banane, arra. Një banane siguron një të gjashtën e nevojave ditore. Më së shumti mbron nga ngërçet me rastin e aktiviteteve sportive.
4. Vitamina C - gjendet në pemë të freskëta, p.sh. kivi, limon, molla të tharta dhe boronicë.
5. Uthulla e mollës - vetëm një lugë uthull molle e tretur në ujë para shujtës kryesore, mjafton që djegia e albuminave dyfish të përmirësohet dhe që indet lidhëse të zgjohen. Në këtë mënyrë celuliti zhduket. Përveç kësaj, uthulla e mollës është shumë e shëndetshme, sepse përmban kalcium, magnez, fosfor dhe natrium.
6. Acidet yndyrore të pangopura - thjesht e tërheqin yndyrën nga qelizat, ndërsa, përveç kësaj, e ulin edhe nivelin e kolesterolit në gjak. Doza e nevojshme ditore është 25 g. E zvogëlon rrezikun nga inflamacionet, ngushtimin e enëve të gjakut dhe alergjive.
Prindërit, më pak rrezik nga hipertensioni
Hulumtimi i shkencëtarëve amerikanë pranë Universitetit Brigham Young sugjeron se personat, të cilët kanë fëmijë janë më pak të rrezikuar nga hipertensioni (shtypja e lartë e gjakut). Në studim janë përfshirë 198 participantë, të moshave ndërmjet 20 dhe 68 vjeç, nga të cilët janë grumbulluar të dhëna në lidhje me tensioni arterial të tyre. Të gjithë pjesëmarrësit në studim kanë qenë të martuar, ndërsa 70% e tyre kanë pasur fëmijë. (Duke marrë parasysh faktorët, si mosha, pesha trupore, aktiviteti fizik dhe duhanpirja) shkencëtarët kanë vlerësuar se prindërit kanë shtypje të gjakut shumë më afër vlerave normale, sesa personat të cilët nuk kanë fëmijë.
Ushqimi i shëndetshëm mbron duhanpirësit
Perimet e gjelbra, acidi folik dhe konsumimi i tabletave me multi-vitamina, mund të mbrojnë duhanpirësit nga karcinoma e mushkërisë, bëjnë të ditur studimet e reja. Në studim kanë marrë pjesë 1100 duhanpirës aktualë dhe persona, të cilët kanë dirë duhan në të kaluarën, shumica e të cilëve kanë qenë femra, ndërsa rezultatet kanë treguar se lëndët e sipërpërmendura pengojnë mutacionin gjenetik të qelizave, e cila për pasojë ka kancerin në mushkëri.
Mekanizmi i saktë i veprimit ende nuk është i qartë dhe shkencëtarët thonë se ka nevojë për studime shtesë për të qartësuar gjithçka në këtë drejtim.
Stresi, nxitës i tumoreve
Shkencëtarët kanë zbuluar se stresi i përditshëm mund të jetë nxitës për shfaqjen e disa llojeve të karcinomave.
Cilado qoftë trauma - emocionale ose psikike - mund të shërbejë si urë lidhëse ndërmjet mutacioneve të karcinomës, që i bashkon ato në një kombinim vdekjeprurës. Kjo është e dhëna e parë “zyrtare” që tregon se gjendja emotive e njeriut në shtëpi dhe në punë, ndikon fuqishëm në zhvillimin potencial të kancerit. Studimi është realizuar nga shkencëtarët pranë Universitetit Yale në SHBA.
Antidepresivët, jo gjithnjë të efektshëm
Miliona njerëz nuk kanë nevojë të marrin barna kundër depresionit, sepse ato nuk veprojnë në trurin e tyre - tregon një studim i ri. Antidepresivët, që kanë për qëllim ngritjen e disponimit, nuk reagojnë te gjysma e pacientëve, pasi që në vend të ngritjes së nivelit të “substancave të hareshme” (si serotonina), te këto raste antidepresivët i ulin ato. Shkencëtarët besojnë se ky studim do të ndihmojë që mjekët të kuptojnë më mirë, se cilëve pacientë t’u japin barna kundër depresionit, e cilëve jo. Njëherit, ky mund të jetë hapi i parë i krijim të terapive të reja, të cilat do të kenë efekt më të madh te popullata e përgjithshme.