Athinë, arrestohet shqiptari me kokainë, heroinë e hashash
GREQI - Një shqiptar dhe bashkëpunëtori i tij grek kanë rënë në prangat e policisë helene ditën e djeshme, teksa u janë kapur një sasi e konsiderueshme lëndësh narkotike. Sipas mediave helene, të cilat i janë referuar policisë vendëse, operacioni për ndalimin e emigrantit shqiptar dhe bashkëpunëtorit të tij grek është kryer pas informacioneve që kishte disponuar më parë Antidroga greke. Sipas policisë së kryeqytetit grek Athinë, nga kontrolli i ushtruar në banesën e tyre janë gjetur dhe sekuestruar një sasi prej 4.1 kilogramë heroinë e pastër, 1.9 kilogramë kanabis sativa dhe 170 gramë kokainë. Droga ishte fshehur në banesë dhe po aty janë gjetur dy të arrestuarit, të cilët mendohen se kanë lidhje me këtë sasi narkotikësh. Për arsye hetimore, policia nuk ka publikuar emrat e dy personave të arrestuar, të cilët janë dërguar në qelitë e paraburgimit, ndërsa pritet të merren në pyetje prej hetuesve të Antidrogës. Lidhur me operacionin për arrestimin e dy të rinjve, policia nuk ka preferuar të japë të dhëna të hollësishme për mediat, duke u mjaftuar me faktin se ka arritur të kapë një sasi të konsiderueshme narkotikësh, kokainë, heroinë dhe hashash, si dhe dy të dyshuarit si posedues të drogës. Po kështu nuk është dhënë asnjë e dhënë për origjinën e narkotikut, detaje të cilat pritet të zbardhen gjatë hetimeve të mëvonshme. Pas hetimeve paraprake nuk dihet nëse në këtë rast kemi të bëjmë me trafik apo shpërndarje të narkotikëve, por në momentin e arrestimit të dy të rinjve është ngritur akuza e trafikimit të narkotikëve. Kjo është argumentuar me faktin se atyre u është kapur një sasi e konsiderueshme, çka nuk mund ta disponojnë shpërndarësit, dhe për më tepër droga ishte e cilësisë së mirë dhe pa përzierës. Siç duket, narkotiku ndoshta sapo kishte rënë në dorë të dy të prangosurve dhe po përgatitej për t’u rishitur apo ndarë në sasi më të vogla për të furnizuar shpërndarësit. Ende nuk dihet se cilat kanë qenë pretendimet paraprake të dy të arrestuarve, por policia pohon se po vazhdon hetimet, si për zbardhjen e bashkëpunëtorëve të tjerë edhe për zbulimin e sasive të tjera të narkotikëve. Ndërkohë në ditët në vazhdim pritet që të arrestuarit të dërgohen para Gjykatë së Faktit. f.m.