Shkëndija elektrike, zjarr te Kopshti Botanik
TIRANE – Një zjarr i fuqishëm ra dje në apartamentin e një pallati pranë Kopshtit Botanik në kryeqytet. Ngjarja ka ndodhur pak orë pas mesditës në apartamentin e katit të katërt, që ndodhet në një pallat 11-katësh fare pranë Kopshtit Botanik në zonën e Tiranës së Re në kryeqytet. Menjëherë pasi janë sinjalizuar për ngjarjen, forcat e policisë dhe zjarrfikëset shkuan në vendin e ngjarjes. Fillimisht policia dhe zjarrfikëset janë angazhuar në izolimin e vatrës së zjarrit, në mënyrë që të shpëtonin banesat pranë. Ndërkohë është bërë edhe evakuimi i rreth 30 personave, banorë të pallatit jeta e të cilëve mund të vihej në rrezik nga flakët e zjarrit. Më pas policia dhe zjarrfikëset, pasi kanë shuar flakët, kanë nisur hetimet për të gjetur shkakun. Sipas burimeve policore, mësohet se shkak i ngjarjes ka qenë një shkëndijë elektrike në njërën nga dhomat e shtëpisë. Një pajisje elektrike e lënë në prizë ka bërë shkëndijë dhe më pas ka marrë flakë një raft i mbushur me libra që ndodhej aty pranë. Flakët janë shpërndarë duke djegur krejt dhomën. Pjesa tjetër e shtëpisë është dëmtuar nga tymi, ndërsa në dhomën ku ra zjarri, gjithçka është shkrumbuar plotësisht. Policia tha se në këtë ngjarje nuk pati dëme në njerëz, por vetëm pasoja materiale. t.s