Borxhet, vetëvaret narkomani te “Ali Demi”
TIRANE – Një 31-vjeçar është vetëvrarë gjatë natës në lagjen “Ali Demi” në kryeqytet. Lajmi konfirmohet nga burime të policisë, të cilat thanë se Edmond Kabashi u gjet i vdekur në një banesë të braktisur. Sipas burimeve nga policia, mësohet se 31-vjeçari mund të jetë vetëvarur rreth orës 21:30, të shtunën, ndërsa trupi i pajetë është gjetur më vonë. Sipas hetimeve të policisë mësohet se viktima njihej si person që luante vazhdimisht në skedina sportive, ku shpenzonte shuma të mëdha parash. Disa dëshmitarë i thanë policisë së 31-vjeçari kishte disa borxhe nga harxhimet që kishte kryer me skedina. Megjithatë policia është duke hetuar për shkaqet e ngjarjes, duke marrë në pyetje persona të afërm të viktimës, si dhe dëshmitarë që mund të japin detaje në lidhje me krimin. Hetuesit në vendin e ngjarjes thanë se Edmond Kabashi ishte vetëvarur në banesën ku nuk jetonte njeri tjetër. Vdekja, sipas autopsisë, ka ardhur si pasojë e bllokimit të frymëmarrjes në grykë. Nga analizat e deritanishme, burimet e policisë besojnë se viktima ka qenë përdorues i rregullt droge, ndërsa dyshohet se ka qenë nën efektin e lëndëve narkotike edhe në momentin kur ka kryer vetëvrasjen në banesën e braktisur tek lagja “Ali Demi” në kryeqytet. t.s