E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkodër, përgjaket Kurban Bajrami

EKZEKUTIMI/ Një 45-vjeçar ka mbetur i vrarë nga një i afërm i tij teksa udhëtonin së bashku me makinë

Autori i vrasjes është larguar nga vendngjarja ndërsa ka lajmëruar të vëllanë për krimin që ka kryer në Barbullush

SHKODËR – Qëllohet tri herë me armë, një herë në kokë dhe dy herë në gjoks, duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Vrasja ka ndodhur në një rrugë të fshatit Barbullush të Shkodrës, ndërsa viktima ishte 45-vjeçari Ben Ndue Bitani, i cili u ekzekutua brenda në automjetin e tij. Burime nga uniformat blu bënë të ditur se vrasësi është larguar, ndërsa vëllai i tij, që është edhe kryetar i Partisë Socialdemokrate në Shkodër ka qenë personi që ka njoftuar policinë për ngjarjen e ndodhur, pasi ishte telefonuar nga ekzekutuesi, për ta lajmëruar për vrasjen.

Ngjarja

Në ditën e Kurban Bajramit, Afrim Rraboshta dhe Ben Bitani, të dy nga fshati Barbullush i Shkodrës, kanë qenë së bashku në lokalin e familjes Bitani në këtë fshat. Prej andej ata janë larguar të dy me mjetin që drejtohej nga 45-vjeçari. Ndërsa udhëtonin së bashku, duket se mes të dyve ka lindur një grindje që ka çuar më pas në nxjerrjen e armës nga Afrim Rraboshta dhe zgjidhjen e grindjes me Bitanin me tre plumba: dy në gjoks e një në kokë. Vdekja e 45-vjeçarit, sipas burimeve të policisë, ka qenë e menjëhershme, ndërsa autori i dyshuar i vrasjes është larguar nga vendngjarja. Mjeti me viktimën në vendin e shoferit është gjetur i ndezur në të majtë të rrugës së fshatit Barbullush, jo në asfalt.

Hetimet

Nga hetimet paraprake dyshohet se shkaku i vrasjes ka qenë një konflikt mes viktimës dhe autorit për një sasi parash që i detyroheshin njëri-tjetrit. Kjo duket se ka qenë edhe arsyeja pse Bitani mendohet të ketë ndalur makinën anës rrugës, për të vazhduar debatin. Fakti që vetë pasagjeri ka qenë autori i vrasjes duket se e vërteton largësia e vogël nga e cila është qëlluar 45-vjeçari. Ndërkohë, burime nga blutë bëjnë të ditur se autori i vrasjes është vëllai i kryetarit të PSD-së në Shkodër, Përparim Rraboshta, i cili është dhe anëtar i këshillit bashkiak të qytetit të Shkodrës. Madje, mësohet se ka qenë ai, mjaft i tronditur, që ka lajmëruar policinë për ngjarjen pasi është vënë në dijeni me telefon nga i vëllai. Ndërsa viktima është prej vitesh banor i qytetit të Shkodrës, të afërmit e tij jetojnë në Barbullush. Vrasja e kryer ditën e djeshme në Kurban Bajram shënon viktimën e 20-të në 19 ngjarjet me vrasje të ndodhura në qarkun e Shkodrës që nga fillimi i vitit 2008.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›