Shkodër, përkujtohet 2 prilli i 1991-it

Jozefina Topalli
Përkujtimi i 2 prillit, 21 vjetorit të vrasjes së katër të rinjve shkodranë në vitin 1991 ka sjellë në këtë qytet Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli njëkohësisht nënkryetare e Partisë Demokratike. Në ceremoninë përkujtimore të demonstratës antikomuniste, ku regjimi komunist ekzekutoi Dëshmorët e Demokracisë, Arben Broci, Bujar Bishanaku, Besnik Ceka dhe Nazmi Kryeziu, Topalli shprehu nderimin e thellë dhe përuljen përpara veprës së tyre për vokacionin e tyre të paepur për liri dhe demokraci, të cilët për këto vlera perëndimore sakrifikuan edhe jetën e tyre.
Sakrifica e katër djemve shkodranë të cilët u vranë përpara ish-komitetit të Partisë së Punës së asaj kohe ishte një gur i rëndësishëm mbi të cilët do të ngrihej dhe do të ndërtohej demokracia shqiptare tha Kryetarja e Kuvendit.
Ajo shtoi se këto ngjarje duhet të shërbejnë si moment reflektimi pasi janë data të cilat kanë bërë kthesa të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar. Në këtë 21-vjetor, tha Kryetarja e Kuvendit, edhe në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë, kjo datë është padyshim data që ka shënuar kthesë të rëndësishme në historinë tonë, për pluralizmin dhe demokracinë që ne sot jetojmë.

Paulina Hoxha dhe Astrit Beci
Ngjarjet e 21 viteve më parë të 2 prillit 1991, janë përkujtuar edhe nga socialistët e Shkodrës, të cilët kanë vendosur kurora me lule në lapidarin 2 prilli në orët e mesditës. Deputetët Astrit Beci dhe Paulina Hoxha, kryetari i PS qytet Luan Heta dhe anëtaret e asamblesë se kësaj partie për Shkodrën, janë përulur para aktit të 4 dëshmoreve të demokracisë. Luan Heta kreu i PS së qytetit të Shkodrës është shprehur se këta dëshmorë meritojnë respektin e çdo qytetari të Shkodrës, janë dëshmorë të demokracisë dhe ne jemi pjesë e kësaj demokracie.
Çdo vit të majtët dhe te djathtët në Shkodër këtë ngjarje ashtu si shumë të tjera i përkujtojnë ndarazi. Pasi kryejnë ceremonitë përkujtimore demokratet, pak orë pas tyre janë socialistët që vendosin në lapidarian e 2 prillit kurorat me lule, duke përkujtuar këtë ngjarje që tronditi Shkodrën dhe Shqipërinë. /Anila Dushi/