Shkodër, plagos dhëndrin pas konflikti

Vendngjajra (foto Shekulli)
Ka qëlluar mbi dhëndrin e tij duke e plagosur ndërsa vetëm pak minuta më vonë është kapur nga policia. Tom Ndoi, 57 vjeç, banues në lagjen Tre Heronjtë në Shkodër ka plagosur me pistoletë Nikolin Nikën, 33 vjeç, bashkëshort i vajzës së tij. Ngjarja ka ndodhur në ambientet një lokali në hyrje të qytetit të Shkodrës, lokal ky që shërben si restorant për dasma e gëzime të ndryshme dhe që i përket autorit.
Nikolin Nika është qëlluar një herë me pistoletë nga afër nga vjehrri i tij, pas një grindjeje që ato kanë patur ndërsa në atë moment në lokal ka qenë edhe gruaja e autorit, vjehrra e të dëmtuarit. Mësohet se konflikti mes vjehrrit dhe dhëndrit ka ditë që ka nisur dhe në mesditën e së premtes ato janë takuar në lokalin që u dikur u përkiste të dyve. Mësohet se shkak kanë qenë mosmarrëveshjet për biznesin, pasi Tom Ndoi i kishte falur vajzës së tij dhe bashkëshortit të saj Nikolon Nikës një pjesë toke afër lokalit, në të cilin i dhëndri kishte ndërtuar një lokal tjetër. Por mësohet se shkak për plagosjen ka qenë dhe pakënaqësia e vjehrrit për trajtimin që dhëndri i bënte të bijës.

Autori i plagosjes Tom Ndoi (foto Shekulli)
I dëmtuari ka marrë një plumb në pjesën e barkut dhe ka mundur të dale nga lokali dhe të hipë në autoveturë e tij dhe ka shkuar në spitalin e Shkodrës, ku mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ai ka qenë për disa vite emigrant në Angli dhe është kthyer pas fejesës me vajzën e autorit me të cilën ka krijuar familje ndërsa së bashku me vjehrrin kanë ndërtuar lokalin buzë lumit Drin. Më pas vjehrri i ka falur një pjesë tokë aty afër ku dhëndri ka ndërtuar një tjetër lokal. Sipas policisë, arma me të cilën Tom Ndoi ka qëlluar një here mbi dhëndrin është pistoletë e vogël sportive ndërsa ai është ndaluar nga policia në afërsi të banesës së tij tek vendi i quajtur Plepi tek Ura e Thive në lagjen Tre Herojtë. Sipas policisë, në deklarimet e para, autori ka pohuar se dhëndri i rrihte të bijën ndërsa prej tij e familjes së tij ai është trajtuar gjithmonë shumë mire. Policia po heton lidhur me zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. /A.Dushi/