Votimi në Kuvend, Gjinushi: PS iu nështrua mazhorancës

Kreu i Partisë Socialdemokrate Skënder Gjinushi ka reaguar ashpër ndaj qëndrimit të mbajtur një ditë më parë nga opozita në Parlament. Sipas Gjinushit opozita jo vetëm që nuk ka luajtur rolin e saj por sipas tij i është nënshtruar mazhorancës parlamentare, ndërsa e cilësoi domosdoshmëri rikthimin e bojkotit parlamentar.
Kreu i PSD-së i ka cilësuar pseudo- reforma punën që po bëhet me reformën zgjedhore dhe atë parlamentare , ndërsa nuk la pa komentuar edhe votën e Kastriot Islamit i larguar tashmë nga radhët e socialistëve.
Nga ana tjetër ka ardhur edhe reagimi i liderit të opozitës Edi Rama i cili përmes rrjetit social “Twitter” ka komentuar deklaratat e kreut të PSD. Sipas Ramës po akuzohet Partia Socialiste për fajet e qeverisë.
“Keqardhje për prononcimin e mikut Gjinushi. Aleati ynë gabon që akuzon PS për fajet e Saliut e që kërkon nga PS të reagojë si parti e vogël. PS kërkon njëzeri me aleatët ndryshim në sistemin zgjedhor. Po kjo s`bëhet dot as pa konsensusin e palës tjetër, as duke akuzuar kot PS!” ka theksuar Rama.