E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk doja ta vrisja, por ashtu ma dha truri

Dëshmia e vajzës që vrau nënën adoptuese trondit hetuesit. 29-vjeçarja nuk shfaq pendesë
Prindërit birësues të 29-vjeçares Anila Angjo nuk kishin mundur të fitonin dashurinë e vajzës së adoptuar, edhe pse ishin përkujdesur për të që kur ajo ishte foshnjë. “E kisha inat. Isha me nerva. Nuk doja ta vrisja, por ashtu ma dha truri për momentin dhe e vrava”, kjo ka qenë një nga deklaratat e pakta që ka dhënë 29-vjeçarja për nënën e saj adoptuese Shpresën, të cilën e ekzekutoi mëngjesin e së martës me një plumb në zemër.
Pas krimit, autorja ka deklaruar për uniformat blu, se për sa kohë çifti Angjo nuk ishin prindërit e saj biologjikë nuk mund të ushqente ndjenja dashurie për ta. Edhe pse prindërit e saj ia plotësonin të gjitha dëshirat, asnjëherë nuk mundën ta fitonin zemrën e vajzës jetime. Ajo nuk ka shfaqur asnjë shenjë pendese për krimin e kryer dhe pas vrasjes ka pritur në banesë, me qetësi, arrestimin e saj nga policia pa tentuar të largohet nga shtëpia, që e kishte kthyer në një skenë të përgjakur. Ajo ka qëndruar për të paktën një orë e gjysmë me nënën e vdekur në dhomë dhe me pistoletë në dorë, ndërkohë që i ati nuk ka guxuar të ndërhyjë nga frika e një vrasjeje të dyfishtë.
Mësohet se 29-vjeçarja nuk pranon të flasë dhe me karakterin e saj duket se po e vështirëson edhe më punën e grupit hetimor. Deri më tani ajo nuk ka treguar se ku e ka gjetur armën dhe herë pas here shfaq shenja agresiviteti dhe depresioni. Burimet e policisë thonë se ajo nuk tregon, edhe pse prej të paktën 24 orësh është marrë disa herë në pyetje.
29-vjeçarja ka treguar vetëm se ka shkuar në shtëpi në orët e vona të natës, ka zgjuar nga gjumi të dy prindërit dhe u ka kërkuar atyre pije alkoolike. Mungesa e tyre dhe e cigareve e ka nevrikosur dhe për këtë gjë ajo ka nisur të ushtrojë dhunë mbi të dy prindërit. “Doja uiski”, ka rrëfyer Anila. Kjo nuk ishte hera e parë që ajo torturonte madje edhe në orët e vona të natës prindërit, nën efektin e alkoolit dhe sipas të afërmve, në disa raste edhe nën efektin e drogës.
Ndërkohë dje është përcjellë për në banesën e fundit 65-vjeçarja Shpresa Angjo, e cila u ekzekutua nga vajza, të cilën e rriti si fëmijën e saj. Të afërmit e viktimës janë “pajtuar” me vdekjen tragjike, duke u ngushëlluar me faktin se shpëtoi nga torturat. Më e rëndë vdekja e Shpresës ka qenë për bashkëshortin e saj, Jovanin. Ai ishte dëshmitar në vrasjen e gruas dhe nuk mundi ta shpëtojë atë nga vajza e dhunshme. Jovani nuk pranon të flasë, por vuan faktin se nuk ka ndërhyrë në ato momente kur po zhvillohej sherri dhe për më tepër vuan edhe faktin se të afërmit e gruas së tij mund ta fajësojnë për këtë moment dobësie.
Në banesën e familjes Angjo dera e dhomës është e prishur. Në momentet e dhunës së egër vajza ka qëlluar derën fort dhe më pas ka ekzekutuar me pistoletën që e kishte marrë nga dhoma tjetër nënën e saj 65-vjeçare. Policia thotë se në banesë ka gjetur edhe një sasi ilaçesh antidepresive që përdoreshin nga autorja e krimit. Sipas policisë, vajza ishte e skeduar si person problematik. Ajo njihej si e alkoolizuar dhe përdoruese e lëndëve narkotike. 29-vjeçarja pritet të dalë sot para togave të zeza për caktimin e masës së sigurisë për akuzën e vrasjes me dashje.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›