Shkodër, shkarkimet nga HEC-et, izolohet fshati Obot
Autori i Lajmit: Silvana Balliu
Rihapja e digave në hidrocentralin e Komanit, por dhe në Vaun e Dejës ka përmbytur sërish këtë fillim javë dhjetëra hektarë tokë në fshatin Obot, të rrethit të Shkodrës.
Rreth 70 cm është niveli i ujit që ka mbuluar rrugën që të çon në fshatin Obot në zonën e Nënshkodrës në Ana e Malit në Shkodër pas shkarkimit të ujërave nga portat e hapura të hidrocentraleve të Komanit dhe Vaut të Dejës. Sipas njoftimeve zyrtare, situata vazhdon të jetë problematike në fshatrat e Bushatit, Obotit, Ashtës, komuna Ana e Malit, si dhe Dagjat, komuna Dajç e Bregut të Bunës, ku rrezikohen të përmbyten rreth 300 ha tokë.
Gjendja më kritike
Por, më kritikja aktualisht është situata në rrugën që të çon në fshatin Obot. Edhe pse uji nuk ka mbërritur në banesa, rruga e mbuluar nga uji është e mundur të kalohet vetëm nga mjetet e tonazhit të rëndë dhe jo nga automjetet e vogla. Ndërkohë, në fshatin Ashtë janë vërejtur gërryerje të tokës, si pasojë prurjeve të ujit nga shkarkimet e HEC-eve. Nga gërryerjet rrezikohen rreth 10 banesa. Shtabi i Emergjencës është mbledhur në orën 08:00 të paradites për të diskutuar rreth situatës dhe masat që pritet të merren. Kështu, pas mbledhjes u vendos që banorët e këtyre zonave të pajisen me rezervat ushqimore dhe duke nisur nga dita e djeshme ka filluar një shpërndarje e disa sasive. Po ashtu forcat e ushtrisë janë urdhëruar të ndihmojnë banorët që kanë makina të vogla ose pa automjet të qarkullojnë për në fshatin Obot nëpërmjet automjeteve të ushtrisë. Ndërkohë dhe moti nuk premton shumë për zonën e Shkodrës. Përveç portave të hapura prej tejmbushjes së liqeneve në HEC-et e Vaut të Dejës dhe Komanit, të pandalshme kanë qenë dhe reshjet e shiut.
Reshjet
Edhe pse jo me intensitet të lartë, reshjet e shiut prej dy ditësh nuk kanë pushuar në Shkodër. Por, përmbytjet janë kthyer në frikë për banorët e zonës, pasi ende në kujtesë është përmbytja në fillim të këtij viti në zonën e Shkodrës në veriperëndim të Shqipërisë. Në ditët e para të janarit, qarku i Shkodrës, u përfshi nga përmbytje si pasojë e reshjeve të dendura të shiut që detyruan hapjen e portave të hidrocentraleve të kaskadës së lumit Drin. Bilanci ishte mbi 11 mijë ha tokë të përmbytura, 5000 shtëpi të përmbytura, si dhe 2500 familje të evakuuara. Burime nga KESH thanë se shkarkimet e kësaj radhe kanë filluar që në 18 shkurt në dy prej tre hidrocentraleve të Drinit me rreth 850 metra kub ujë në sekondë.
Basha: Situata dinamike,
ushtria në gatishmëri
Ministri i Brendshëm Lulzim Basha dhe drejtori i Emergjencave Civile, Alfred Olli mblodhën Shtabin e Emergjencave në prefekturën e Shkodrës për të monitoruar situatën, e cila vlerësohet si “dinamike”. Ministri Basha thotë se për momentin nuk ka sinjalizim për rrezik, por situata duhet të monitorohet orë pas ore për të qenë në gjendje për ta përballuar atë me efikasitet të plotë “Nuk kemi sinjalizime për një rrezik të menjëhershëm të një pjese tjetër të zonës. Situata është shumë dinamike. Varet nga një mori faktorësh siç është temperatura, prurjet nga sistemet hidrike brenda dhe jashtë Shqipërisë qofshin ato që ushqejnë Drinin nga Maqedonia qofshin ato që ushqejnë liqenin e Shkodrës nga Mali i Zi apo lumenjtë e tjerë”, u shpreh Ministri Basha, duke shtuar se Ushtria është në gatishmëri për çdo problem që mund të krijohet.
Ky lajm është publikuar: 23/02/2010