PDK: Pionerët e Jozefinës, si pionierët e Enverit
Partia Demokristiane ka kritikuar ashpër kryetaren e Parlamentit Jozefina Topalli, për organizimin e maratonës së NATO-s me parullën Blu në NATO. Sipas përfaqësuesve të kësaj partie, kryetarja e kuvendit po bën fushatë me çështjen e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe po përdor politikisht të miturit. Deklarata vjen pas maratonës, së zhvilluar dy ditë më parë nga nxënësit në Tiranë.
Gëzimin e ligjshëm të kombit shqiptar për këtë arritje me rëndësi të jashtëzakonshme politikane si nënkryetarja e Partisë Demokratike, zonja Topalli, po përpiqen ta personalizojnë dhe ta partizojnë pranimin e Shqipërisë me të drejta të plota në NATO. Përdorimi i fëmijëve me bluza ku ishin shkruar "Unë në NATO", të kujtonte "pionerët e Enverit", që sot mund të quheshin me pa të drejtë "pionerët e Jozefinës"?!, thuhet në deklaratën për shtyp të nënkryetarit të PDK- së, Vladimir Beja. Përdorimin e ngjyrës politike të PD, blu, në vend të ngjyrës së flamurit kombëtar në bluzat e fëmijëve, Beja e cilëson një tjetër abuzim me vlerat e vërteta të kësaj ngjarje të pakrahasueshme me ndonjë të tillë më parë, në historinë tonë kombëtare. PDK dënon dhe njëherë përpjekjet e disa politikanëve të tipit Topalli, që kërkojnë të mashtrojnë opinionin publik mbarëshqiptarë në pragzgjedhjet elektorale me përvetësimin e arritjeve, thekson Beja, i cili anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, e vlerëson si ngjarje ngjarje historike për kombin, duke veçuar angazhimin e të gjitha qeverive shqiptare prej vitesh. Partia Demokristiane e vlerëson anëtarësimin në NATO si një moment të rëndësishëm përgjegjësie, për të çuar përpara reformat, për të rritur standardet demokratike, për të forcuar institucionet e pavarura kushtetuese dhe mbi të gjitha, për të garantuar një proces zgjedhor të ndershëm dhe korrekt, në standardet e demokracive perëndimore, thekson nënkryetari i PDK- së, Beja.