E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çahet diga e rezervuarit, evakuohen dy fshatra nga rreziku i përmbytjes

Shkaqet prag tragjedisë, tejmbushja e rezervuarit dhe bllokimi i kanalit të tij 
Dy fshatra të komunës Kryevidh në Kavajë, fshati Spille dhe Greth i Mesëm, kanë rrezikuar të përmbyten pas çarjeve të digës së rezervuarit që ndodhet pak metra larg banesave të tyre. Çarja e digës ka ardhur si pasojë e rrëshqitjeve të dheut që kanë bllokuar kanalin e shkarkimit të rezervuarit. Kanë qenë rreth 1000 banorë në prag të tragjedisë që mund të ndodhte nga shpërthimi i ujit. Diga e rezervuarit të Shardushkut në komunën Kryevidh ka rrezikuar të çahet për shkak të fryrjes nga uji dhe për shkak se kanali i shkarkimit ka qenë i bllokuar. Shkak për këtë situatë është bërë mbushja mbi kapacitet e rezervuarit me ujë si pasojë e shirave të rëna gjatë ditëve të fundit, duke rrezikuar shpërthimin. Alarmi është dhënë nga banorët e zonës rreth orës 11:00 të paradites të së djeshme, të cilët kanë njoftuar përfaqësuesit e komunës Spille si dhe prefekturën e Kavajës për situatën në të cilën ndodheshin. Menjëherë pas konstatimit të situatës, e cila ishte mjaft e rrezikshme, banorët e fshatrave janë evakuuar, duke braktisur gjithçka. Këto dy fshatra do të qëndrojnë për rreth 24 orë të boshatisur, derisa të sigurohet plotësisht rezervuari. Pas marrjes së njoftimit, komuna e Kryevidhit ka bërë përpjekje maksimale për evitimin e katastrofës. Në pjesë të ndryshme të digës së rezervuarit ishin krijuar të çara në një gjerësi prej 50 cm dhe kjo gjë ka shkaktuar panik tek banorët dhe drejtuesit vendorë. Rezervuari mendohet se kishte arritur në kuotën e mbi 1 milion metër kub ujë. Ai përdoret për vaditje të tokave të fshatrave të komunës së Kryevidhit, por në të kultivohet edhe rasati i peshkut. Specialistët kanë menduar që të hapin shkarkuesin për rënien e nivelit të ujit. Zyrtarët e emergjencave në vendngjarje saktësuan se për të normalizuar situatën do të mbahet hapur kanali i emergjencës deri në uljen e nivelit deri në 1.8 metër në rezervuar, ku niveli aktual është 6 metër. Sipas llogarive të bëra, nëse niveli arrin në 8 metër ai rrezikon shpërthimin. Tashmë koeficienti i rrezikut është ulur në krahasim me situatën e krijuar pak orë para dhënies së alarmit. Për të normalizuar situatën është dashur ndërhyrja e mjeteve të renda si dhe forcave të ushtrisë e policisë së zonës, të cilët kanë bërë të mundur hapjen e kanalit të emergjencave, me qëllim shkarkimin e ujit nga rezervuari. Në vendngjarje kanë mbërritur edhe efektiva të komisariatit të policisë së Kavajës si dhe nga nënprefektura e Kavajës. Mjetet e firmës që ndërtojnë rrugën që të çon në plazhin e Spillesë, kanë çarë pjesën e betonit ku gjendej pika më e ulët e digës për shkarkimin e ujit të tepërt. Niveli maksimal i ujit ishte 6 metër, por me hapjen e kanalit niveli ka rënë megjithatë frika nga rikthimi i reshjeve bën që rezervuari të mbushet përsëri në kapacitetin e tij maksimal. Zv/ministri i Bujqësisë, Ndue Preka deklaroi se situata do të mbahet nën kontroll deri në përmirësimin e saj në mënyrë të plotë: Për këtë iu kemi kërkuar banorëve që të qëndrojnë edhe 24 orë të tjera larg banesave të tyre për arsye të sigurisë. Gjithsesi dua ti siguroj ata se situata është vënë nën kontroll dhe rreziku më i madh ka kaluar, ka deklaruar Preka, i cili drejton operacionin në terren së bashku me specialistë të fushës, me përfaqësues të komunitetit si dhe pushtetit vendor në Kavajë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›