E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, shkatërrohet rrjeti kriminal

Efektivët e drejtorisë së Policisë së Shkodrës në bashkëpunim me ata të policisë së Kukësit kanë shkatërruar një grup kriminal të dyshuar për disa vepra në qytete të ndryshme të vendit.

Policia e Shkodrës konfirmoi përfundimin me sukses të operacionit të koduar "Optika në Bardhaj " falë të cilit u vunë në pranga
Aranit Susaj 28 vjeç dhe Fatmir Susaj 21 vjeç. Ndërkaq, janë shpallur në kërkim dhe tre shtetas të tjerë, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur për arsye hetimi.

Si rezultat i veprimeve hetimore policia ka vërtetuar se ky grup criminal mban autorësinë e disa veprave penale në rrethe të ndryshme të vendit. Ata akuzohen se në qytetin e Lezhës kanë shkatërruar një supermarket dhe një automjet me eksploziv.
Policia tha se më datë 19 janar të vitit 2010 po këta persona kanë vjedhur në një banesë në Grude e re një shumë prej 800 dollarësh. Po në këtë fshat më 9 prill anëtarët e këtij grupi kriminal kanë grabitur me kërcënim një shtetas. Të arrestuarit mbajnë përgjegjësi dhe për dy vjedhje në rrethin e Malësisë së madhe.

Ndërkaq, gjatë hetimit, policia ka mundur të vërtetojë se këta persona kultivonin bimë narkotike në fshatin Lekbibaj të Tropojës.

Nga kontrollet e ushtruara në banesat e personave të dyshuar, u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale një çiftë, një automatik model 56, dy radio, si dhe rroba për maskim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›