E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, shtyhet ndarja e apartamenteve të banimit për të pastrehët

Shtyhet procesi i ndarjes së apartamenteve të banimit për të pastrehët në Shkodër, ndërkohë që të majtët e quajnë këtë një vendim të marrë për efekt të fushatës elektorale. Kanë qenë këshilltarët e djathtë në këshillin bashkiak të qytetit të Shkodrës ata që kanë propozuar shtyrjen e ndarjes së 39 apartamenteve të përfunduara prej gati dy vitesh. Sipas këshilltarëve të djathtë, qeveria ka miratuar 150 kredi të buta për qytetin e Shkodrës dhe pritet dhe miratimi i 100 të tjerave. Këto së bashku me 39 apartamenteve të përfunduara është kërkuar të votohen nga këshilltarët bashkiakë të gjitha së bashku. Ky propozim i të djathtëve është kundërshtuar nga këshilltarët e majtë, të cilët janë shprehur se e gjithë kjo bëhet për fushatë elektorale, por megjithatë edhe ata kanë votuar pro shtyrjes së procesit të ndarjes së 39 apartamenteve që ndodhen në pallatin e ndërtuar nga Enti Kombëtar i Banesave. Nga 1400 të pastrehë që kanë aplikuar për të marrë strehim pranë bashkisë së Shkodrës, komisioni i ngritur nga këshilli bashkiak dhe që ka bërë verifikimin e situatës për aplikuesit, ka seleksionuar sipas një sistemi pikëzimi të miratuar nga ky këshill, 120 familje, nevojat e të cilëve për strehim janë më emergjente. Pritej që dje t'i nënshtroheshin votimit në këshillin bashkiak për të përfituar 39 prej tyre. Por ky proces nuk u bë, duke u shtyrë në muajin e ardhshëm, ku sipas të majtëve do të shfrytëzohet për fushatë elektorale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›