E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dade: Vota është një e drejtë dhe jo një taksë

Deputetja e PS, Arta Dade i ka bërë thirrje mazhorancës në kuvend të realizojë zgjedhje konform standardeve nëse duan të lënë pushtetin me dinjitet. Ajo theksoi se vota është një e drejtë dhe jo një taksë. Gjatë ditëve të fundit kemi dëgjuar nisma të ndryshme të zotit Berisha, për të ulur aty-këtu barrën financiare të familjeve shqiptare sa i përket kartave të identitetit, tha Dade, duke i bërë thirrje kryeministrit që ta ndërpresë këtë farsë dhe të pranojë propozimin transparent dhe të hapur të opozitës për detaksimin e kartave të identitetit. Ajo theksoi se një problem madhor nuk zgjidhet me gjysmë-masa dhe gjysmë-angazhime, por zgjidhet me qëndrime të qarta, që nuk krijojnë konfuzion dhe premisa për diskriminim të njerëzve, që e kanë të vështirë të kuptojnë se kush favorizohet, si dhe sa favorizohet në këtë pështjellim nismash të qeverisë që pasojnë njëra-tjetrën nga dita në ditë. Është detyra e secilës palë në këtë sallë që të bëjë atë që i takon për të siguruar një administrim normal dhe të paqortueshëm të votave në 28 qershor, tha Dade. Ajo theksoi se opozita ka ofruar konsensus të plotë dhe të pakushtëzuar për reformën zgjedhore, ndërkohë që ka qenë e angazhuar maksimalisht dhe vazhdon të jetë e angazhuar që procesi të avancojë shpejt dhe në mënyrë transparente. Ecuria e pajisjes së shtetasve, një detyrim i qeverisë aktuale, po vë në rrezik të gjithë procesin. Shumica qartazi i është shmangur detyrimit të saj institucional e ligjor, duke nxjerrë justifikime që na kujtojnë vesin e saj të vjetër të cenimit të kutive të votimit dhe të listave të zgjedhjeve, u shpreh Dade. Më tej, Dade tha se Shqipëria nuk është më ajo që ka qenë. Duke e vënë theksin në rëndësinë e Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, Dade theksoi se ky proces ka bërë që standardet zgjedhore të jenë tashmë një nevojë urgjente dhe jo një luks apo bizhuteri në qafën e politikanëve. Është detyra jonë institucionale dhe qytetare që të ndjekim këtë tendencë, këtë kërkesë mbarëqytetare, tha Dade.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›