E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, situata drejt përmirësimit ngrica në disa akse

SHKODER- Moti pa reshje, i cili po vazhdon prej disa ditësh, ka bërë të mundur përmirësimin e ndjeshëm të gjendjes së përmbytjeve në Qarkun e Shkodrës. Ndërsa temperaturat e ulëta kanë ndikuar duke shfaqur ngrica në disa akse rrugore duke krijuar probleme në qarkullimin e mjeteve.

Të dhënat më të fundit nga shtabi i emergjencës civile në prefekturën e Shkodrës, bëjnë të ditur se niveli i ujit ka ardhur në rënie të vazhdueshme, duke zvogëluar ndjeshëm hartën e përmbytjes.

NEWS24 raporton se mëngjesin e sotëm në lagjen Iliria nuk ka më prezencë uji ndërsa vazhdon të mbetet uji në lagjen Xhabije. Edhe këtu niveli i ujit ka rënë ndjeshëm. Përmirësime janë konstatuar edhe në zonën e Nënshkodrës, sidomos në komunën Guri i Zi, në të cilën nuk ka më asnjë shtëpi të përmbytur, duke bërë të mundur rikthimin e të gjithë banorëve të evakuar më parë në konviktet e qytetit.

Ndonëse kanë disa fshatra të bllokuara me prezencë uji, përmirësime të ndjeshme vërehen edhe në komunat e Bërdicës, Bushatit dhe Anës së Malit, komunikimi i të cilëve me qytetin në 90 për qind të tyre është i mundur përmes tokës.
Dy komunat më në vështirësi vazhdojnë të jenë Velipoja dhe Dajçi, ku 70% e tyre janë të përmbytura. Në Velipojë,si rezultat i një prezence të lartë të ujit në zonën e urës së Gjo Lulit, komunikimi vazhdon të bëhet vetëm me mjete lundruese dhe përmes ajrit nga helikopterët e vënë në dispozicion nga shtabi i emergjencës civile. Ndërsa, në komunën e Dajçit kanë filluar të jepen sinjalet e para të përmirësimit. Rruga kryesore e lidhjes së komunës me qytetin e Shkodrës mund të jetë e kalueshme për mjete ushtarake.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›