E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, të rinjtë pastrojnë zonat turistike në breg të liqenit

Mbi 300 nxënës të shkollave të mesme të qytetit të Shkodrës dhe banorë të dy pikave turistike në breg të liqenit, Shirokë e Zogaj, u përfshinë dje në një aksion pastrimi nga Ura e Bunës në Zogaj, duke grumbulluar rreth 5 ton mbeturina. Aksioni u organizua në prag të hapjes së sezonit turistik në këto pika turistike, shumë të frekuentuar nga vizitorët vendas dhe të huaj, si pjesë e nismës Përgjegjësia për mbrojtjen apo shkatërrimin e mjedisit fillon nga shtëpia jonë e Qendrës Rajonale të Mjedisit, (REC), një nismë që përfshin mirëmenaxhimin e mbetjeve urbane dhe mirëmbajtjen e mjediseve të qytetit. Nisma e REC u mbështet nga bashkia e Shkodrës dhe Inter-Cooperation dhe përfshiu pastrimin e dy zonave turistike, Shirokë dhe Zogaj, shumë pranë qytetit të Shkodrës. Diana Bejko, drejtuese e Qendrës Rajonale të Mjedisit në Shkodër, tha se aksioni për pastrimin e mbeturinave të mjedisit ka nisur prej 10 ditësh, por sot pjesëmarrja e aktorëve ishte më e madhe. Gjatë ditës së djeshme u pastruan mbetje të mëdha, një pjesë e të cilave urbane të grumbulluara aty prej vitesh. Puna e nxënësve u mbështet nga mjetet e ndërmarrjes së menaxhimit të mbeturinave në bashki. Krahas pastrimit të brigjeve të liqenit të Shkodrës, REC e Shkodrës ka pajisur me infrastrukturën e nevojshme dy pikat turistike të Shirokës dhe Zogajt, për të kontribuar në përmirësimin e situatës. Në këto dy zona u vendosën  12 kazanë 1100 litërsh për mbajtjen pastër të zonës në periudhën në vazhdim, pasi pushues të shumtë frekuentojnë këto zona. Ndërkohë, është rënë dakord që ndërmarrja e menaxhimit të mbeturinave pranë bashkisë Shkodër të bëjë çdo ditë tërheqjen e mbeturinave të grumbulluara gjatë ditës. REC ka shpërndarë për biznesin e zonës mbi 300 fletëpalosje me informacion për mbajtjen pastër të mjedisit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›