E Diel, 1 Nëntor 2026

ZVRPP vijon shpërndarjen e certifikatave të pronësisë për pronat e legalizuara

Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Bashkëpunim me Agjencinë Rajonale të ALUIZN-it Tiranë, organizuan shpërndarjen e certifikatave të pronësisë për 43 qytetarë, të cilët kanë aplikuar lejet e legalizimit pranë ZVRPP Tiranë. Praktikat të cilat janë përpunuar dhe ndodhen në proces përpunimi janë në shifra të mëdha dhe qytetarët kanë treguar interes të madh për të bërë aplikimin e nevojshëm pranë ZVRPP-s. Sipas zv/kryeregjistrueses e Republikës së Shqipërisë, Sonila Jazaj, procesin e ka përmirësuar dukshëm dhe e ka rritur shpejtësinë e përpunimit të praktikave edhe hartimi i një udhëzimi të posaçëm për pronat e legalizuara nga ana e ZVRPP-s. Në përmbushje të ligjit për regjistrimin e pasurive të paluajtshme, dhe Vendimeve të Këshillit të Ministrave, ZVRPP-ja ka hartuar një udhëzim të brendshëm për regjistrimin e pasurive të paluajtshme të fituara me anë të ligjit për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e zonave të ndërtimeve informale. Udhëzimi u është shpërndarë të gjitha ZVRPP-ve, të cilat tashmë do ta kenë më të lehtë procedimin e regjistrimit të pasurive të legalizuara, duke përmbushur detyrimet ndaj qytetarëve në një kohë më të shpejtë. Qytetari, i cili ka marrë një leje legalizimi nga Agjencia Rajonale e Legalizimit, do të informohet nga kjo e fundit për përcjelljen e dokumentacionit nga ana e saj pranë ZVRPP-së përkatëse. Qytetari në këtë moment duhet të paraqitet pranë ZVRPP-së përkatëse me njoftimin e ALUIZN-it dhe të bëjë pagesën e tarifës së shërbimit pranë sporteleve të ZVRPP-së. ZVRPP-ja , duke filluar që nga ky moment, duhet ta shqyrtojnë kërkesën brenda 15 ditëve. ZVRPP-të nuk kanë të drejtë ti dërgojnë qytetarit Akt Verifikimi dhe për çdo lloj paqartësie apo mungese dokumentacioni duhet ti drejtohet Zyrës Rajonale të Legalizimeve. Në përfundim të procesit qytetari do të pajiset me Certifikatë Pronësie në rastet kur zona është në Sistemin e Ri të Regjistrimit të Pasurive të paluajtshme, ose me Vërtetim Pronësie në rastet kur zona përkatëse nuk është në Sistemin e Ri të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Udhëzimi i miratuar parashikon regjistrimin e lejeve të legalizimit në të gjitha rastet që mund të shfaqen; si në rastet kur pasuria e legalizuar ndodhet në pronësi të atij që ka ndërtuar, në rastet kur pasuria e legalizuar ndodhet në një parcelë që është në pronësi të shtetit, dhe në rastet kur pasuria e legalizuar ndodhet në një parcelë në pronësi private. Në rastin e fundit do të procedohet kalimi i pronësisë nga privat në shtet në bazë të VKM-së për shpronësimet, dhe më pas do të regjistrohet leja e legalizmit. ZVRPP-ja u bënë thirrje qytetarëve që të paraqiten në sportelet e ZVRPP-ve pasi të kenë marrë njoftimin nga Drejtoritë përkatëse të ALUIZN-it, për aplikim për regjistrimin e lejeve të legalizimit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›