E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tre në pranga për vjedhje e falsifikim

 

TIRANE - Tre persona u arrestuan gjatë 24 orëve të fundit nga policia e kryeqytetit për falsifikim dokumentesh, shpërdorim detyre dhe korrupsion. Operacioni i koduar "I diplomuari", ka arrestuar në banesën e tij 41-vjeçarin Krenar Beqaraj, i proceduar edhe më parë për falsifikim dokumentesh. Policia kishte disa informacione paraprake për Beqarajn, i cili dyshohet se falsifikonte patenta, dëftesa të shkollës së mesme dhe diploma të shkollës së lartë. Beqarajt i janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale disa dokumente, që dyshohet të jenë të falsifikuara si dhe disa vula institucionesh. Efektivat e Antikorrupsionit dhe Antikrimit Ekonomik kanë arrestuar edhe 55-vjeçarin Nazmi Shemlliu dhe 34-vjeçarin Kujtim Murati, të dy të shpallur në kërkim. Shemlliu është dënuar një vit më parë me 6 muaj burg dhe 300 mijë lekë gjobë për shpërdorim detyre. Duke qenë elektricist në Drejtorinë Zonale, Njësia Elektrike nr.2, Shemlliu ka shpërdoruar detyrën, duke mos kontrolluar siç duhet matësit elektrikë të disa subjekteve private. Për këtë akuzë ai është shpallur fajtor dhe është dënuar nga gjykata. Po kështu edhe Kujtim Murati rezultonte person në kërkim për akuzën e "korrupsionit pasiv në sektorin privat". Murati, duke qenë faturino, në një linjë urbane të Tiranës, ka arritur të përfitojë para nga detyra e tij, duke i shitur abonetë e urbanit me një çmim gati dyfish nga vlera reale.                                                e.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›