Shkodër, vetëdorëzohet i kërkuari për vrasje
Besmir Dhampiraj ishte në kërkim për vrasjen e Shpuzës në dhjetor të vitit 2008 në tregun e fruta-perimeve në Shkodër
SHKODËR- Është vetëdorëzuar në polici, 24- vjeçari Besmir Dhampiraj, i shpallur në kërkim pasi dyshohet të jetë autor i vrasjes së shtetasit Hysni Shpuza, më 6 shtator 2008.
Gjykata e shkallës së parë në Shkodër kishte caktuar për 24- vjeçarin Dhampiraj, masën e sigurisë së arrestit në burg pasi ai dyshohet se ka vrarë për motive hakmarrjeje Hysni Shpuzën, 45 vjeç, ngjarje kjo e ndodhur një vit më parë tek tregu i shumicës së fruta - perimeve në Dobraç të Shkodrës.
Ndërsa vëllai i Besmirit, Ermal Dhampiraj, është ndaluar ditën e ngjarjes pasi dyshohet se ai ishte bashkëpunëtor në vrasje, Besmir Dhampiraj, që sipas policisë dyshohet se është personi që ka qëlluar gjashtë herë me pistoletë mbi Shpuzën, është larguar dhe ishte i shpallur në kërkim.
Paraditen e së dielës, Besmir Dhampiraj është vetëdorëzuar në polici, e cila e ka prangosur duke ekzekutuar urdhër ndalimin e lëshuar nga prokuroria. Besmir Dhampiraj do të përballet me akuzën e vrasjes me paramendim dhe armëmbajtjes pa leje.
Familjet Shpuza dhe Dhampiraj, banuese në fshatin Shtoj i Ri në Shkodër prej vitesh ishin në konflikt me njëra - tjetrën për shkak të lidhjes së vajzës së viktimës Hysni Shpuza me një prej vëllezërve Dhampiraj i cili aktualisht ndodhet në burg.
Kjo lidhje kundërshtohej nga familja e vajzës. Ky konflikt shkaktoi plagosjen e vëllait së Hysniut, kanosjen dhe më në fund vrasjen e tij më 6 shtator 2008 teksa punonte si tregtar shumice në tregun e fruta-perimeve në Dobraç.
Pak kohë pas vrasjes së Hysni Shpuzës, ishte nipi i viktimës Izmir Dhampiraj që u ndalua nga polica me akuzën e tentativës për vrasje të njërit prej vëllezërve Dhampiraj.