E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: Azemi ishte kalorës i demokracisë

Kreyparlamentarja Topalli, e shoqëruar nga Bode dhe Patozi, kanë bërë homazhe në memorialin e Azem Hajdarit

Pavarësisht mungesës së Kryeministrit Sali Berisha, selia blu ka nderuar, ashtu si çdo vit, kujtimin e liderit të dhjetorit, Azem Hajdari, i cili humbi jetën si pasojë e një atentati më 12 shtator të 1998-ës, shumë pranë selisë së Partisë Demokratike. Krerët më të lartë të selisë blu, familja Hajdari, si dhe shumë miq dhe simpatizantë të tribunit të demokracisë, kanë bërë homazhe pranë memorialit ku 11 vjet më parë u vra deputeti Azem Hajdari dhe truproja e tij, Besim Çera. Dy nënkryetarët e kësaj force, Jozefina Topalli dhe Astrit Patozi, si dhe sekretari i përgjithshëm i saj, Ritvan Bode, të shoqëruar edhe nga familja Hajdari, si dhe miq e shokë të Azemit, kanë vendosur buqeta dhe kurora lulesh në nderim të veprës së tij, ndërsa kanë mbajtur një minutë heshtje. Për Kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli, Azem Hajdari përfaqësonte njeriun e guximshëm dhe politikanin e ri, që vuri gjithçka kishte në shërbim të demokracisë së vendit të tij. "Azemi ishte kalorës i lirisë. Ishte dhe mbetet modeli i politikanit të ri për të guxuar dhe për të qenë në çdo moment i zoti dhe i aftë për të mbrojtur atë që beson. Kjo është gjëja më e rëndësishme për çdo politikan të ri", - tha Topalli pas ceremonisë së kryer me këtë rast pranë memorialit të "Pishtarit të Demokracisë". Më pas, Kryetarja e Kuvendit, së bashku me përfaqësues të Partisë Demokratike, bënë një vizitë në shtëpinë e Azem Hajdarit, ku u takuan e biseduan me bashkëshorten e tij, Fatmira, fëmijët dhe të afërmit e Heroit të Demokracisë.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›