Shkodër, vijon operacioni për shuarjen e plotë të zjarrit në fshatin Vilz

TIRANË, 3 gusht/ATSH/ Në fshatin Vilz të njësisë administrative Postribë (Shkodër) vijon puna për shuarjen e zjarrit, të rënë pasditen e djeshme.
Nën koordinimin e prefekturës së qarkut Shkodër dhe Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, në mbështetje të Forcave Vendore të Mbrojtjes Civile dhe MZSH-së së bashkisë Shkodër, gjatë orëve të pasdites së djeshme u realizua ndërhyrja nga ajri nga Forcat Ajrore, e cila uli ndjeshëm intensitetin e zjarrit dhe eliminoi rrezikun për banesat. Prefektura e Shkodrës bën të ditur sot se “në terren vijojnë të jenë të angazhuara ekipet e MZSH-së, forcat operacionale pyjore, strukturat e mbrojtjes civile të Bashkisë Shkodër dhe 30 efektivë të Forcave të Armatosura, të cilët iu bashkuan operacionit që në orët e para të mëngjesit. Operacioni ndiqet dhe koordinohet në terren së bashku me Drejtorin Rajonal të AKMC për Veriun, Shkëlzen Çuni”. Administratori i njësisë administrative Postribë, kryeplaku i zonës dhe forcat vullnetare vijojnë angazhimin e pandërprerë në terren, në mbështetje të strukturave operacionale, deri në shuarjen e plotë të zjarrit. Prefektura e Shkodrës shprehu mirënjohje për të gjitha strukturat qendrore e vendore, forcave vullnetare dhe banorëve të zonës për bashkëpunimin, përkushtimin dhe solidaritetin e treguar në mbrojtje të jetës së qytetarëve, pronës dhe pasurive tona natyrore./k.s/j.p/r.e/