E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, viti 2008 mbyllet me bilanc pozitiv për faturimet në KESH

>Operatori i Sistemit të Shpërndarjes në Shkodër ka arritur rezultatet më qëndrueshme në raportin e arkëtimeve gjatë 18 viteve të tranzicionit ose postdiktaturës. Këtë e ka bërë të ditur drejtori rajonal, Nesti Kiri, gjatë analizës së punës njëvjeçare të OSSH-së së Shkodrës. Në këtë analizë, në të cilën ishin të pranishëm krerët lokalë si dhe drejtori i Përgjithshëm i OSSH-së, Seit Dollapi, pohoi se si rrallëherë, niveli i faturimit të energjisë elektrike nga abonentët familjarë në vitin 2008, arriti në 78 për qind. Por duke folur gjithashtu mbi investimet e mëdha në rrjetin e energjisë, Dollapi ka vlerësuar arritjet e shënuara për sa i përket masës së arkëtimeve dhe zvogëlimit të humbjeve në rrjet. Duke iu referuar arritjeve pozitive, kreu i OSSH-së, Seit Dollapi u shpreh se "kjo tregon se e keqja në Shkodër nuk ka ardhur nga abonentët, por nga puna jo e mirë nga vetë stafet e kësaj ndërmarrjeje gjatë viteve të kaluara". Në fakt ky problem është evidentuar prej kohësh, por pothuaj nuk është bërë asgjë. Për shumë vite radhazi, pas vendosjes së demokracisë në vendin tonë, Shkodra është konsideruar si një ndër zonat më problematike për sa i përket faturimit të energjisë elektrike dhe humbjeve në rrjet. Pagesa nga konsumatorët familjarë apo dhe bizneset ishte e vogël, ndaj dhe KESH-i aplikoi kufizime drastike. Këto kufizime kanë qenë edhe tendencioze dhe që nuk kishin të bënin sidomos me përmirësimin e vetë punës së KESH-it. Por gjatë dy viteve të fundit, Shkodra nuk mund të konsiderohet më si "delja e zezë" e KESH-it. Shifrat e bëra publike gjatë analizës së djeshme nga drejtori i OSSH-së së Shkodrës, Nesti Kiri, janë vërtet të qarta se situata sa vjen dhe po përmirësohet. Sipas Kirit, viti 2008 shënoi nivelin më të lartë të arkëtimeve që nga viti 1990. "Vitet e kaluara, në mbyllje të bilancit vjetor ne kemi dalë me humbje. Ndërsa për vitin 2008, duhet thënë se është viti i parë që kemi dalë me një bilanc tepër pozitiv. Gjatë kësaj periudhe u grumbullua shuma prej 58 milionë e 562 mijë lekësh", është shprehur kreu i OSSH-së së Shkodrës. Sipas tij, po gjatë vitit të kaluar u ulën në 10 për qind shpenzimet që ka pasur zona e shpërndarjes, duke e krahasuar jo vetëm me planin, por dhe me vitin 2007. Kurse vetë Dollapi është shprehur se: "Rezultatet tregojnë se të keqen nuk e kemi pasur tek abonentët. Ky staf, këta punonjës duhen përgëzuar për rezultatet, të cilat tregojnë se kur duan të punojnë, kur duan të kryejnë siç duhet dhe me përgjegjësi detyrat e ngarkuara, kur njerëzit janë të përgjegjshëm e të ndershëm në punë, rezultatet do të vijnë ashtu siç kanë ardhur". Ai tha se faktori subjektiv ose faktori punonjës është vendimtar në kapjen e rezultateve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›