E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkodër, vlerësim dëmeve për dy përmbytjet



SHKODER- Banorët e Shkodrës do të dëmshpërblehen për dy përmbytjet e fundit të muajit shkurt dhe mars. Këshilli i qarkut ngriti dje shtatë grupe pune, të cilët në terren do të përcaktojnë vlerësimin e përmbytjeve të 1300 ha tokë. "Puna e këtyre grupeve do të fokusohet vetëm në kulturat bujqësore, pasi në këto përmbytje nuk bëhet fjalë për shtëpi, pajisje apo gjë të gjallë të dëmtuar", u shpreh kryetari i këshillit të qarkut të Shkodrës, Gjovalin Kolombi. Ka qenë një vendim i Këshillit të Ministrave i marrë tri ditë më parë, që ka përcaktuar ngritjen e grupeve të verifikimit të dëmeve në qarkun e Shkodrës. Sipas këtij vendimi, institucioni që do të mbikëqyrë këtë proces do të jetë Këshilli i Qarkut. Kolombi mblodhi në një takim drejtuesit e njësive vendore të zonave që janë prekur nga përmbytjet si dhe të institucioneve përkatëse që janë të përfshira në këtë proces. Ai iu bëri me dije se tashmë përgjegjësia për vlerësimet e këtyre dëmeve do të jetë e kryetarëve të komunave. "Kësaj radhe, nisur edhe nga ajo që është verifikuar më parë në terren, ka rezultuar se dëmet e shkaktuara nga përmbytjet e dyta dhe të treta kanë qenë kryesisht në kulturat bujqësore. Do të jeni ju përgjegjës për mënyrën sesi do të realizohet procesi i vlerësimit të dëmshpërblimeve. Ne nuk veprojmë sipas dëshirave, por sipas ligjit", u shpreh Kolombi. Mësohet se Këshilli i Ministrave i ka dhënë të drejtën qarkut që të mund të bëjë edhe rishikim të vlerësimeve të mëparshme. "Kemi të drejtë të shohim vetëm mënyrën e përllogaritjes së dëmeve se mos është bërë ndonjë gabim njerëzor dhe jo të dalim sërish në terren", u shpreh Kolombi. r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›