Tre të vdekur nga protestat në Greqi
Protestat kundër masave të ashpra të kursimit në Greqi kanë marrë 3 jetë njerëzish dje, brenda një ndërtese banke të djegur nga protestuesit. Greva ishte pjesë e paralizës 48-orëshe kombëtare, e cila lufton “kolapsin ekonomik”.Një bombë molotov e hedhur në bankën “Martin Egnatia” shkaktoi vdekjen e dy grave dhe një burri. Flakët përfshinë edhe dy zyra të tjera publike, njëra e Prefekturës së Athinës dhe një tjetër, e Agjencisë së Tatim-Taksave. Dhjetëra persona të tjerë mbetën të bllokuar në ndërtesën e bankës, ndërsa zjarrfikësit nisën të shuanin zjarrin. Përleshjet kanë shpërthyer mesditën e djeshme në Athinë dhe Selanik. Dhjetëra mijëra grekë vazhduan protestat ndaj masave anti-krizë, të cilat janë miratuar nga Qeveria dhe sot votohen në Parlamentin grek. Papandreu dhe lider të tjerë evropiane kanë theksuar se masat janë të ashpra, por janë të vetmet që do ta shpëtonin Greqinë nga falimentimi. Protestat janë shfrytëzuar gjithnjë nga anarkistët në Greqi. Një grup prej 60 vetash në Athinë janë përpjekur të thyejnë kordonin e policisë që ruante Parlamentin, duke qëlluar policët me gurë, molotovë dhe mjete të tjera të forta. Policia ka përdorur gaz lotsjellës kundër protestuesve në sheshin “Sintagma” përballë Parlamentit, ndërsa ata u përpoqën të hynin në këtë ndërtesë. Sipas shifrave që jep policia, vetëm në Athinë kanë dalë për të protestuar rreth 20 mijë persona. Edhe në Selanik të rinjtë kanë thyer vitrinat e dyqaneve dhe lokaleve. Greva ka paralizuar për dy ditë të gjithë vendin. Trafiku ajror, hekurudhor, detar dhe rrugor është mbyllur. Po ashtu edhe spitalet, shkollat, bankat dhe dyqanet. Kjo ishte greva e tretë e përgjithshme, që është organizuar që nga fillimi i krizës ekonomike në Greqi. Sot pritet që Parlamenti të votojë pro planit antikrizë të Qeverisë. Masat kanë të bëjnë me pezullimin 3-vjeçar të pensioneve, uljen e pagave, rritjen 2 për qind të TVSh-së, rritjen 10 për qind të taksave të karburanteve, cigareve dhe pijeve, shkurtimet e pagave të 13-ta dhe 14-ta në sektorin publiket, etj. Masat ishin një kërkesë imponuese e Qeverive evropiane dhe FMN-së, që ato të bindeshin se Greqia do të mblidhte të ardhurat. Edhe pse partitë në opozitë e kanë dënuar planin dhe janë shprehur se nuk do ta mbështesin atë, partia Pasok në pushtet ka 160 deputetë nga 300. Përveç kësaj, ata kanë siguruar mbështetjen e partisë së djathtë ekstreme, Laos. Ndërsa në Greqi nisi greva, Kancelarja gjermane, Anxhela Mergel, duke iu përgjigjur kritikave se vendi i saj ka ndërhyrë vonë, tha: “Një evropian i mirë nuk është ai që ndihmon shpejt, por ai që respekton traktatet dhe të drejtën evropiane dhe që jep ndihmesën e tij, që stabiliteti i zonës euro të mos dëmtohet”. Gjermania do t’i japë Greqisë këtë vit 8,4 miliardë euro, si pjesë e programit të ndihmës së koordinuar mes Bashkimit Evropian dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Euro bie sërish, tregjet evropiane “fundosen”
Euro ra dje sërish në tregje, ndërsa frika për krizën e borxheve në Evropë i largoi investitorët nga asetet me rreziqe. Dollari fitoi 0.9 për qind kundrejt euros, e cila ra në 1.2868 dollarë, këmbimi më i ulët për të që nga marsi i vitit 2009. Tregjet evropiane ishin më të ulëta gjatë të mërkurës. Bursat evropiane janë fundosur, nga frika se ndihmat për të shpëtuar Greqinë nuk janë të mjaftueshme. Bursat në të gjitha vendet evropiane kanë pësuar rënie. Në Milano, dita e djeshme u mbyll me -4,47 për qind. Por në vende më në jug të Evropës, rezultatet ishin edhe më drastike. Në Athinë, bursat u mbyllën me -6,6 për qind, në Madrid -5,41 për qind, në Lisbonë -4,21 për qind, ndërsa në Londër dhe Frankfurt me -2,5 për qind, deri në -3,64 për qind në Paris. Në Wall Street, Dow Jones ra me 2 për qind dhe Nasdaq me 3. Tregjet janë pak të bindur se paketa e ndihmës për Greqinë prej 110 miliardë eurosh mund të jetë e mjaftueshme për të shpëtuar ndikimin e krizës së thellë financiare në vende të tjera evropiane. Bankat kryesore gjermane kanë bërë të ditur se do të merrnin pjesë në shpëtimin e Greqisë me një kontribut vullnetar, duke mbajtur hapur linjat e veta të kreditit. Sipas analistëve, monedha evropiane është ende nën presion, por “paniku i 72 orëve të fundit po zbehet pak”. Brian Dolan, shef strategjist për monedhat, tha për CNN se takimi i planifikuar për të enjten i Bankës Qendrore Evropiane ka nxitur pak optimizëm dhe besim në Evropë. “Minimumi, BQE po përpiqet të stabilizojë euron me ndërhyrje verbale. Nëse e bëjnë këtë, kjo do t’i sigurojë euros pak frymëmarrje”, tha ai.
Papulias: Greqia në buzë të greminës
“Vendi ynë ndodhet në buzë të greminës”, kështu deklaroi Presidenti i Greqisë, Karolos Papulias, në një komunikatë pas protestave të dhunshme gjatë ditës së djeshme, ku humbën jetën 3 persona. “Ne kemi të gjitha përgjegjësitë për të mos bërë hapa boshe, që na çojnë drejt zbrazëtisë”, tha Presidenti, si garant i institucioneve.
Merkel: Asnjë vendim pa Gjermaninë
Kancelarja gjermane, Anxhela Merkel tha para deputetëve të Bundestagut gjerman, se mbi ndihmën për krizën e Greqisë nuk do të merret se asnjë vendim pa Gjermaninë dhe kundër saj. “E gjithë Evropa i ka sytë nga Gjermania”, tha kancelarja gjermane, duke shtuar se nga kriza financiare greke “del një leksion ose më mirë nevoja për të ndryshuar Paktin e Stabilitetit të BE-së”, është cituar Mergel nga AFP.