E Diel, 1 Nëntor 2026

“Otranto”, kundërshtohet riekspertimi i tragjedisë



Kundërshtohet riekspertimi i “Otrantos”. Të martën në Gjykatën Penale të Apelit në Leçe të Italisë u zhvillua seanca e radhës për tragjedinë që ndodhi në 28 mars 1997, ku si pasojë e përplasjes së anijes “Kateri i Radës”, me anijen ushtarake italiane “Sibilla”, humbën jetën 81 persona, mes të cilëve mjaft gra e fëmijë, ndërkohë që 34 të tjerë mbijetuan. Në këtë seancë përfaqësoheshin 27 familje të viktimave, përmes avokatit Engjëll Agaçi. Prokuroria kërkoi riekspertim të ngjarjes që ndodhi 13 vjet më parë dhe të rrethanave në të cilat u shkaktua përplasja, gjë e cila do të thoshte fillimin e hetimit nga e para. Por, kjo kërkesë u kundërshtua nga avokati Agaçi, që e cilësoi atë të paargumentuar. Pas tërheqjes në Dhomën e Këshillimit, 6 orë më vonë, trupi gjykues komunikoi vendimin, sipas të cilit kërkesa e prokurorit nuk pranohej. Në këtë mënyrë, çështja gjyqësore për zbardhjen e tragjedisë që ndodhi 13 vjet më parë po shkon drejt fundit. Në sallën e gjyqit ndodheshin disa nga familjarët e viktimave të Otrantos, si dhe deputetët e PDU-së, Dashamir Tahiri i PD-së, Ardian Kollozi e Kreshnik çipi dhe një grup gazetarësh. q.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›