Braho: Në s‘bëhemi pjesë e rishikimit të Kodit
Komisioni i Ligjeve pritet të marrë sot në shqyrtim Kodin e ri Zgjedhor, pas kthimit të tij në Kuvend nga Presidenti i Republikës. Kodi është miratuar me konsensusin e PD-së dhe të PS-së, ndërkohë që është kundërshtuar ashpër nga LSI-ja dhe disa parti të tjera të vogla. Deputeti i LSI-së, Spartak Braho, tha dje se LSI-ja nuk do të marrë pjesë në këtë diskutim, pasi ata nuk kanë ndonjë kundërshtim për dy nenet, për të cilat Presidenti ka kthyer Kodin në Kuvend. Sipas Brahos, në bazë të rregullores, Kuvendi nuk ka të drejtë të marrë në shqyrtim të gjithë Kodin, ndaj nuk mund të propozohen amendamente, por shqyrtohen vetëm nenet për të cilat kreu i shtetit ka kthyer ligjin e miratuar me shumicë nga Kuvendi. Kodi Zgjedhor është miratuar para dy javësh nga mazhoranca e opozita dhe pritej dekretimi i Presidentit të Republikës për të hyrë në fuqi. Por kreu i shtetit, pas shqyrtimit nga ekspertët e tij, e ka gjetur kodin të papajtuar me Kushtetutën në dy nene të tij, ndaj u ka kërkuar deputetëve që ta rishikojnë edhe njëherë atë.