LSI-ja, PS‘91, PBDNJ-ja nuk do të ndryshojnë qëndrim
Partitë e vogla parlamentare duket se e kanë të unifikuar qëndrimin e tyre për Kodin Zgjedhor, pavarësisht kthimit të tij në Kuvend për rishikim nga Presidenti i Republikës. Ashtu siç kanë votuar dy javë më parë partitë parlamentare, duket se do të votojnë sërish, kur Kodi të rikthehet në sallën e Kuvendit. PBDNJ-ja, e cilat votoi kundër Kodit herën e parë, deklaroi nëpërmjet deputetit Leonard Solis, se ky qëndrim nuk do të ndryshojë as në votimin e dytë. Deputet e PBDNJ-së kanë theksuar se nuk janë dakord me mënyrën se si u hartua Kodi, pa marrë në konsideratë shqetësimet e disa partive parlamentare. Gjithashtu, kundër Kodit herën e parë ka votuar edhe kryetari i PAD-së, Neritan Ceka, i cili aktualisht ende nuk e ka bërë publike qëndrimin e tij, nëse edhe këtë herë do të jetë kundër tij, apo do të ndryshojë qëndrim. Ndërkohë që LSI-ja, PDK-ja dhe PS‘91 e kanë kundërshtuar fuqishëm këtë Kod, duke u futur edhe në grevë urie dhe pas dështimit të përpjekjes së tyre ata i dërguan një letër Presidentit të Republikës, ku i kërkonin që të mos e dekretonte Kodin e ri.