E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkodra, 1 m uji në komuna. Do nisë vlerësimi i dëmeve

SHKODER-Situata në territorin e qarkut të Shkodrës pas përmbytjeve të fillim dhjetorit, vazhdon të përmirësohet, pasi i favorizuar nga moti i mirë dhe pa reshje shiu, vazhdon ulja e nivelit të liqenit të Shkodrës e për pasojë, po zvogelohet sipërfaqja e tokave të përmbytura. Nga informacionet më të fundit, nga 14 mijë ha që ishte 3 ditë më parë, kjo siperfaqe ka shkuar ne 9.440 ha.

SHKODRA, 1 M UJI NË KOMUNA. DO NISË VLERËSIMI I DËMEVE
Ora 13.30-Orët e mesditës së sotme i kanë gjetur shumë lagje periferike të qytetit të Shkodrës nën prezencën e ujit, por moti i mirë dhe temperaturat e ulëta po ndihmojnë dukshëm në përmirësimin e situatës. Kritike mbetet situata në komunat e Shkodrës, ku uji pavarësisht se po shënon rënie me disa centimetra vazhdon të mbajë nën vete banesa të shumta.
Situata më e fundit në shifra në Shkodër është, 9 440 ha toka nën ujë, 4 660 banesa të përmbytura, ndërkohë që 650 banesa janë liruar nga uji dhe 3 800 banorë janë rikthyer në shtëpi.

Niveli I ujit ka shënuar një rënie prej 11 cm, por ndërsa kjo situatë është ndjerë në lagjet periferike të Shkodrës, në komuna jo. Në shumë prej tyre vazhdon situata kritike ku niveli i ujit shënon 1 metër.
Qeveria sot vendosi të ngrejë një komision hetimor për të vlerësuar dëmet e përmbytejve në Shkodër. Nga nesër komisioni do të nisë vlerësimin, që do të jetë baza për fondin që do të jepet për zhdëmtim të banorëve.

Ndërkaq ka nisur puna për dizinfektimin e të gjitha zonave që janë liruar nga uji, ndërsa vazhdon furnizimi me ushqime, kryesisht bukë dhe ujë të banorëve të izoluar nga uji.

SHKODER, SITUATA SOT, MBI 9 400 HA TOKE NEN UJE
Ora 09:00-Burime zyrtare nga shtabi i emergjencave civile në prefekturën e Shkodrës, bëjnë të ditur se përmirësimi më i ndjeshëm paraqitet në Shkodër, ku vazhdon tërheqja e ndjeshme e nivelit të ujit dhe ku është zhbllokuar qarkullimi rrugor në hyrje të qytetit, ku po lëvizin të gjitha llojet e automjeteve pa probleme në të dy anët e aksit rrugor, qytet-ura e Bunës dhe anasjelltas.
Megjithatë, prezenca e ujit vazhdon në zonat periferike që kufizohen me liqenin e Shkodrës dhe lumin Drin si lagjet "Manush Alimani", "Salo Halili", Kiras, Livadhet, Ajasem, Bahçallek. Prezencë uji vazhdon edhe ne lagjen turistike të Shirokës, ndërkohë që qarkullimi në aksin rrugor Shkodër-Shirokë bëhet vetem me mjete të larta.

Problem Komunat
Ndërkohë, në komunat e Nënshkodrës, edhe pse uji vazhdon të shënojë tërheqje, situata paraqitet problematike në komunat e Velipojë dhe Dajç, ku prezenca e ujit në nivele të larta është në rreth 70 për qind të territorit të tyre, duke bërë të pakalueshme edhe akset rrugore që lidhen me qytetin.
Problematike paraqitet gjendja dhe në komunën Ana e Malit, kryesisht në fshatin Obot, i njohur historikisht për përmbytje nisur nga ultësira e madhe e vendosjes së shtëpive të banorëve pranë shtratit të lumit Buna, ndërsa pjesa tjetër e territorit ka përmirësime të ndjeshme. Për pasojë, gjatë orëve të mbrëmjes dje, 80 persona janë rikthyer në banesat e tyre duke lënë konviktet e qytetit të Shkodrës, ku qëndruan për disa ditë të evakuar.
Ndërsa në komunën Bushat rënia e nivelit të ujit ka ndikuar në përmirësim të ndjeshëm të situates ne disa fshatra, janë 400 familje që vazhdojnë të jenë të izoluara nga uji. Përmirësime të dukshme janë konstatuar edhe në komunën Bërdicë, ku niveli i ujit është ulur në të gjithë zonën dhe qarkullimi i automjeteve është i mundur në të gjithë akset rrugore, duke lehtësuar së tepërmi ndërhyrjen e strukturave të shtabit të emergjencës në dhënien e ndihmës për komunitetin dhe sidomos për bagëtitë e shumta që ka kjo zonë.
Komuna e tjetër e zonës së Nënshkodrës, ajo e Gurit të Zi, paraqitet me një situatë pa probleme përmbytje, pasi mungesa e reshjeve dhe minimizimi i shkarkimeve në kaskadën e Drinit, ka ndikuar në largimin e plotë të ujit që përmbyti prej shumë ditësh tokat bujqësore dhe shtëpitë e fshatrave të Kuçit e Vukatabës. Për t’u theksuar është fakti se, të gjithë banorët që ishin të evakuar ditë më parë, tashmë po rikthehen në banesat e tyre.

(d.b/BalkanWeb) Lidhje te tjera Përmbytjet Shkodër, Ambasadori Arvizu dorëzon ndihma

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›