E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkodra dhe Dibra, përqindjen më të lartë të votuesve

Në Qarkun e Shkodrës janë zhvilluar votimet për të zgjedhur drejtuesit vendorë për Bashkinë e Fushë-Arrësit dhe Komunën e Fierzës. Drejtuesit e këtyre njësive vendore lanë postin që kishin pasi kandiduan dhe fituan në zgjedhjet parlamentare të zhvilluara më 28 qershor të këtij viti. Në këto kushte, si në qytezën e Fushë-Arrësit, ashtu edhe në Komunë e thellë malore të Fierzës dje u mbajtën zgjedhjet për drejtuesit vendorë. Në Bashkinë e Fushë-Arrësit procesi i votimit është mbyllur në orën 18:00 të pasdites dhe gjatë gjithë ditës nuk është shënuar asnjë incident. Në këtë bashki, që ka 6 qendra votimi, katër në qytet dhe dy në fshat, kanë votuar 1960 votues nga 3500 votues që ka Fushë-Arrësi, e konvertuar në rreth 40% pjesëmarrje e votuesve. Për kreun e Bashkisë së Fushë-Arrësit janë në garë Alfred Qafa i PD-së dhe Ded Gjergji i LSI-së. Ndërkohë që edhe pse u mbyllën qendrat e votimit, procesi i numërimit të votave ka hasur ngërçin e parë, për shkak se një qendër votimi ka pasur probleme në mbylljen e procesverbaleve. Ndërsa në Komunën e Fierzës janë në garë për kreun e komunës, Gjelosh Pepleka i PD-së dhe Muhamed Ponari i LSI-së dhe në këtë zonë procesi i votimit ka përfunduar që në orën 18:00 dhe nuk është shënuar asnjë incident. Në këtë komunë kanë votuar 650 votues nga 1500 votues që ka kjo komunë e konvertuar në përqindje. Në Komunën e Fierzës kanë votuar 38% e personave që kanë të drejtë vote. Largësia si një komunë e thellë malore ka sjellë vonesa në dorëzimin e kutive të votimit.
Ndërsa për Bashkinë Klos ishin 15 qendra votimi me 72000 votues, dhe pjesëmarrja 50%. Garonin për siglën e PD-së Ramzan Mjeshtri dhe për LSI-në Xhevdet Rreci. Pjesëmarrje e ulët në orët e paradites, por numri i votuesve është rritur gjatë orëve të pasdites.

A.H/H.L.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›