E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkodra i rikthehet jetës normale, sot nis mësimi në 12 shkolla

13-12-2010 / Gazeta 55

Zvogëlohet me ritme të shpejta harta e përmbytjeve në zonën e Shkodrës, teksa uji është tërhequr 500 metra nga lagjet e qytetit. Përveç lajmit të mirë që banorët po rikthehen në shtëpitë e tyre, qeveria garanton të gjithë të prekurit nga fatkeqësia natyrore se do të dëmshpërblehen. Qëndrimi i shprehur nga kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e qeverisë javën e kaluar se do vlerësohet në vlerë monetare çdo dëm, në bazë të ligjit të Digave, është përforcuar dje nga drejtori i Emergjencave Civile, Alfred Olli, i cili tha se çdo banor do përfitojë dëmshpërblimin e shtetit, për dëmet e shkaktuara nga fatkeqësia natyrore. Edhe pse problematike vazhdon të jetë e pranishme, zotimi i Shtabit të Emergjencave është vijimi i operacioneve në ndihmë të banorëve që ende vazhdojnë të jetojnë larg shtëpive të tyre. Ajo që vlen të theksohet është se uji po tërhiqet ndjeshëm nga zonat e përmbytura. Në sajë të përmirësimit të kushteve atmosferike apo ndërprerjes së reshjeve, sot nis procesi mësimor në 12 shkolla të qarkut të Shkodrës. 6 shkolla 9- vjeçare dhe 6 të mesme cilat hapin dyert për nxënësit, pas mbylljes 10 ditore, për shkak të përmbytjeve. 
Shtabi i Emergjencave Civile: Zvogëlohet sipërfaqja nën ujë/Shifrat e publikuara dje në mesditë nga Shtabi i Emergjencës flasin për tjetër zvogëlim të sipërfaqes nën ujë. Aktualisht janë 11. 440 ha tokë nën ujë, ndërkohë që të shtunën u shënuan 11. 800 ha tokë e përmbytur. Mbeten të pandryshuara shifrat e banesave të përmbytura, në 4660 shtëpi nën ujë. Në këto banesa ka rënë niveli i ujit, por vazhdojnë të mbeten të përmbytura. Kanë ndryshuar shifrat e banesave të rrethuara nga uji, duke u zvogëluar në 2493 banesa të rrethuara nga uji.
Uji tërhiqet 500 metra nga lagjet e qytetit/Qyteti i Shkodrës nis të çlirohet nga “mbretëria” e ujit. E diela me diell dhe temperatura shumë të ulëta ka bërë që niveli i ujit në qytet të bjerë ndjeshëm, duke u larguar me më shumë se 500 metra. Rrugët gradualisht po kthehen të kalueshme për mjetet e rënda ndërsa dje në fshatin Guri i Zi janë shënuar dhe kthimet e para të familjeve (rreth 2000 banorë) në shtëpitë e tyre. Ndërkohë edhe niveli i ujit nga prurjet e hidrocentraleve ka rënë e për pasojë edhe shkarkimet. Kështu, prurjet në hidrocentralin e Vaut të Dejës kanë rënë 1300 m3/s dhe nuk ka rrezik për shkarkime masive. Autoritetet shëndetësore po asistojnë familjet që nuk janë evakuuar për çdo nevojë të tyre. Ka nisur gjithashtu një fazë vaksinimi falas për 1900 familjet që janë të vendosura në konvikte, për të shmangur kështu virozat e stinës. Tashmë në plan të parë është furnizimi me ushqime i familjeve të evakuuara. Sot nisin mësimin 12 shkolla të cilat prej më shumë se një jave ishin mbyllur për shkak të përmbytjeve. Janë 6 shkolla 9- vjeçare dhe 6 shkolla të mesme të cilat do të hapin dyert për të gjithë nxënësit. Në shkolla do të mësojnë dhe fëmijët e banorëve të evakuuar dhe për momentin jetojnë në konvikte, larg banesave të tyre në ujë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›