Kuvendi rikthen ligjet me 84 vota
Erald Kapri
Në fund të punimeve të këtij sesioni, Kuvendi ka parashikuar të miratojë projektligjet më të rëndësishme që kërkojnë një shumicë prej 84 votash. Konferenca e Kryetarëve vendosi dje axhendën e punimeve të Kuvendit deri në datën 29 korrik, duke përcaktuar që deputetët të shqyrtojnë disa projektligje që qëndrojnë prej më se një viti në sirtarët e Kuvendit, si Gjykata Administrative, reformën në Drejtësi, ndryshimet në Kode etj. Por me këtë axhendë nuk ka qenë dakord kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Gramoz Ruçi. Në mbledhjen me dyer të mbyllura ai ka kundërshtuar këtë axhendë punimesh dhe projektligjet që kërkojnë 84 vota. Ruçi ka argumentuar se fillimisht palët duhet të zgjidhin krizën politikë, më pas të mendojnë për votimin e projektligjeve që kërkojnë shumicë votash e që pa votat e opozitës nuk mund të miratohen dot. Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së ka kërkuar nga të pranishmit në mbledhje që të angazhohen për zgjidhjen e krizës politike. Por pavarësisht këtij kundërshtimi të opozitës, anëtarët e maxhorancës në shumicë në Konferencën e Kryetarëve, kanë vendosur që në axhendë të futen për shqyrtim edhe projektligjet që kërkojnë 84 vota. Kështu, nëse gjendet vullnet dhe konsensus mes palëve, i pari ligj që do të miratohet është ai i Gjykatës Administrative. Ndonëse ky ligj me 200 nene ka kaluar me konsensus mes palëve në komisione 1 vit më parë, opozita braktisi miratimin e tij duke shtyrë prej më se 1 viti ngritjen e kësaj gjykate. Në axhendë ka edhe disa projektligje të tjera që presin 84 vota për miratim si disa ndryshime në Kodin Civil, Kodin Penal, Kodin e Punës si dhe në Kodin Rrugor. Një ligj me rëndësi është edhe Ndarja Administrative. Kjo reformë urgjente pret ende në sirtarët e Kuvendit. Nëpërmjet kësaj reforme pritet të ketë një ndarje administrative më të mirë të vendit, një reformë që të dyja partitë e mëdha e kanë mirëpritur, por që kriza politike ka ndalur prej më se 1 viti shqyrtimin e saj. Njëkohësisht presin disa projektligje të miratohen të cilat konsiderohen si reforma e Drejtësisë. Kështu pritet të miratohet, por që ka mbetur në sirtarët e Kuvendit projektligji për Administratën Gjyqësore, projektligji “Për organizimin dhe funksionimin e Konferencës Gjyqësore Kombëtare”, si dhe një ligj të ri për funksionimin e Noterisë. Një pjesë e këtyre projektligjeve kërkon një kohë të gjatë për shqyrtim, çka edhe nëse do të fillonin të diskutoheshin, nuk do të mund të miratoheshin para fundit të korrikut, kohë kur Kuvendi merr pushimet verore. Nga ana tjetër, janë edhe disa projekte politike që kërkojnë vëmendjen e PD-së e PD-së. Kështu është mundësia e ndryshimit të Kushtetutës për imunitetit, çka kërkon mbi 94 vota.
Projektligjet që duan 84 vota
- Një shtesë në ligjin nr.7850, datë 29.7.1994, “Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar
- Një shtesë në ligjin “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar
- Një shtesë në ligjin “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar
- Një shtesë në “Kodin e Punës”
- Projektligji “Për administratën gjyqësore”
- Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 8653, datë 31.7.2000 “Për ndarjen administrative – territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar
- Projektligj “Për Gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative dhe Organizimin e Drejtësisë Administrative”.
- Projektligji “Për organizimin dhe funksionimin e Konferencës Gjyqësore Kombëtare”
- Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7829, datë 01.06.1994 “për noterinë”, i ndryshuar
reagimet
Berisha: Me ardhjen e Ramës u rikthye kultura e Bllokut
Kryeministri Sali Berisha akuzoi dje kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama se ka rikthyer kulturën e ish zonës së Bllokut, vendi i udhëheqjes komuniste. Duke folur nga një aktivitet në Fushë Krujë, ku mori pjesë në inaugurimin e përfundimit të punimeve për rindërtimin dhe shtesën e re të Shkollës 9- vjeçare Nr.1, kreu i Qeverisë tha se opozita po mohon të gjitha investimet që janë kryer gjatë kësaj periudhe në Shqipëri. “Të dashur qytetarë dhe qytetare është rikthyer kultura e Bllokut, me ardhjen në krye të Partisë Socialiste të pinjollëve të Bllokut, në Shqipëri bëhet një propagandë moniste, të cilën etërit do t’ua kishin lakmi. Sipas saj, në Shqipëri dielli ka ndaluar, sipas saj ekonomia shqiptare është e rrënuar, sipas saj vendi po zhytet gjithnjë e më shumë në varfëri, sipas saj Shqipëria ka rritur borxhin me 800 %, paçka se e ka ulur atë nga 70 në 59%”, u shpreh Kryeministri. Berisha tha se “sipas kësaj propagande të mirëfilltë kulture blloku, nuk po ndërtohen rrugë të reja, nuk po ndërtohen shkolla të reja, nuk po ndërtohen ujësjellës të rinj, paçka se po përfundohen me qindra e qindra projekte në mbarë Shqipërinë. Sipas kësaj kulture, shqiptarët janë për t’u mashtruar, shqiptarëve mund t’u servirin çdo gënjeshtër, çdo trillim, çdo mashtrim. Sipas kësaj kulture, e keqja jote është e mira e tjetrit”. Kreu i maxhorancës akuzoi Partinë Socialiste se me kulturën e bllokut ka treguar dështimin e lidershipit të kësaj force politike. “Në emër të kësaj antikulture përpiqet të shkelmohet vota juaj. Në emër të kësaj antikulture përpiqen të dhunojnë votën tuaj, vullnetin tuaj. Në emër të kësaj antikulture u përpoqën të bllokojnë rrugët e vendit, u bllokua bulevardi i vendit. Në emër të kësaj antikulture shpifet dhe trillohet çdo ditë, por unë kam bindjen më të thellë se hijet e së shkuarës s’do munden të pengojnë kurrë dritën e të sotmes dhe të ardhmes sonë”.
Rama: Greva ishte sukses,ulëm Berishën në tavolinë
Kreu socialist Edi Rama vijoi dje turin “Hap kutitë, liro vizat, çliro ekonominë” në qytetin e Vlorës dhe të Fierit. Rama ka kërkuar të bëhet një bilanc i gjithë aktivitetit opozitar të PS pas zgjedhjeve të 28 qershorit e veçanërisht të grevës së urisë dhe protestave. Kreu socialist e cilësoi të suksesshme grevën dhe madje përtej parashikimeve që priste. “Më lejoni, u shpreh Rama, të bëj një bilanc për këtë përpjekje të gjatë, rrugë e cila ende s’ka mbaruar. Unë besoj se greva u arrit, madje për mua personalisht, shumë sinqerisht ju them, që nuk e kisha menduar se do të arrinte kaq shumë. Jo thjesht ulja në një tryezë me palën tjetër, por ulja në një tryezë me miqtë tanë, ndërkombëtarët, Parlamenti Europian, Këshilli e Europës e deri te Qeveria e SHBA-s. Ajo tryezë mundësoi më së miri në kushte optimale për parashtrimin e çështjes sonë. Duke u shtruar kjo çështje në këtë nivel, na takon të kthehemi pak pas, e të shohin se nga u nisëm”, u shpreh Rama. I takon PS-së, tha ai, të ketë detyrë, në atë dhe për atë që është dhe interes publik. I takon PS-së, të udhëheq procesin e demokratizimit, pasi pala tjetër është kthyer në një forcë regresive, e cila pengon zhvillimin e vendit. Ne duhet të jemi krenar për çka kemi bërë”, tha Rama. Në fund të fjalës së tij, kreu i socialistëve Rama, iu rikthye falënderimeve për mbështetësit në protesta e që ishin jashtë grevës, veçanërisht për kreun e Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika. “Do t’ju përmendja me emra tha ai, por kam merak se harroj ndonjë, e këtu do të na duhej të ndërtonim pas kësaj autobusin e Kuçit, jo se nuk e ndërtojmë dot, por kemi merak se mos prishim pallatin e kulturës”, u shpreh Rama në Vlorë.